KLSH ngre alarmin për Fierin: 69.59% e ujit pa të ardhura, qytetarët rrezikojnë të paguajnë më shtrenjtë për keqmenaxhimin dhe dështimet e ujësjellësit

Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre shqetësimin për nivelin e lartë të humbjeve të ujit në rrjetet e ujësjellësve, duke vendosur në fokus edhe Fierin, ku 69.59% e ujit të prodhuar rezulton “Ujë Pa të Ardhura”.
Sipas auditimit të KLSH-së për Entin Rregullator të Ujit, në disa prej shoqërive rajonale niveli i humbjeve është tepër i lartë. Në Fier, Lezhë dhe Shkodër, një pjesë e konsiderueshme e ujit të prodhuar nuk përkthehet në të ardhura për operatorët.
Në Fier prodhohen rreth 20.79 milionë m³ ujë në vit, por vetëm 67.7% e këtij prodhimi matet. Nga sasia totale e ujit të prodhuar, shoqëria faturon vetëm 30.41%, ndërsa 69.59% klasifikohet si Ujë Pa të Ardhura.
Auditimi evidenton se në Fier 31.93% janë humbje administrative, ku përfshihen lidhjet e paligjshme dhe nënfaturimi, ndërsa 37.01% janë humbje reale ose teknike, të lidhura me problematikat e rrjetit.
KLSH shprehet kritik edhe për mënyrën se si po trajtohen këto problematika, duke theksuar se rritja e tarifave të ujit në disa raste rrezikon të përdoret për të mbuluar kostot e shkaktuara nga keqmenaxhimi dhe joeficienca, në vend që të shoqërohet me masa konkrete për uljen e humbjeve.
“Në këto kushte, rritja e tarifave më së shumti përdoret për të mbuluar pasojat e mosmenaxhimit dhe joeficiencës së këtyre shoqërive”, konstaton KLSH.
Humbje të larta edhe në Lezhë dhe Shkodër
Niveli më i lartë i Ujit Pa të Ardhura ndër operatorët e analizuar rezulton në Lezhë, me 74.14%, ndërsa në Shkodër arrin në 67.01%.
Në Lezhë prodhohen rreth 13.65 milionë m³ ujë në vit, por vetëm 16.3% e prodhimit është i matur.
Në Shkodër prodhimi vjetor është rreth 14.8 milionë m³, ndërsa vetëm 32.98% e ujit faturohet. KLSH evidenton gjithashtu probleme me matjen e prodhimit dhe amortizimin e rrjetit.
KLSH kërkon masa konkrete
KLSH kërkon që ERRU, gjatë miratimit të tarifave për operatorët me humbje të larta, të vendosë kushte të detyrueshme performance.
Sipas auditimit, operatorët duhet të kenë plane konkrete dhe të verifikueshme për uljen e humbjeve, me afate, indikatorë të matshëm dhe pasoja rregullatore në rast se objektivat nuk realizohen.
Kjo, sipas KLSH-së, do të shmangte që barra e humbjeve dhe joeficiencës së ujësjellësve të transferohet te qytetarët që paguajnë rregullisht faturat e ujit.




