Nga kompjuteri i parë në Ballsh te kompania e software-it me 16 punonjës, historia e 22-vjeçarit Orgito Baraj
Nga kompjuteri i parë që prindërit i blenë në Ballsh, te krijimi i produkteve teknologjike, ndërtimi i platformave online dhe më pas një kompani software me 16 punonjës. Ky është rrugëtimi i 22-vjeçarit Orgito Baraj, i cili nisi të eksploronte botën e teknologjisë që në moshë shumë të vogël.
I ftuar në emisionin “Tech Talk”, Baraj rrëfeu historinë e tij, duke u ndalur te vitet e para në Ballsh dhe kontakti me kompjuterin e parë, të cilin ia blenë prindërit.
Me zhvendosjen në Fier, një rol të rëndësishëm në formimin e tij pati edhe mësuesja e informatikës, Olta, e cila, sipas Barajt, ishte ndër të parat që besoi te aftësitë e tij.
“Ti ke për të ecur. E vetmja profesoreshë që më thoshte, se veç informatikën kam pasur 10 dhe gjithë lëndët e tjera i kam pasur 5 dhe 6”, tregoi ai në “Tech Talk”.
Që në moshën 15-vjeçare, Baraj nisi të krijonte produkte teknologjike, ndërsa më vonë u përfshi edhe në eksperimente me kriptomonedhat.
Në moshën 16-vjeçare ndërtoi strukturën e FieriWeb
Në vitin 2020, në moshën rreth 16-vjeçare, Orgito Baraj mori përsipër ndërtimin teknik të portalit FieriWeb.com.
Ai ndërtoi strukturën e portalit, duke u marrë me konfigurimin e domain-it dhe krijimin e template-it, duke hedhur bazat teknike të platformës që më pas do të zhvillohej dhe do të shndërrohej në një prej mediave online me audiencë të lartë në Fier.
Për një adoleshent që sapo kishte nisur të ndërtonte rrugëtimin e tij në teknologji, ky ishte një prej projekteve të para të rëndësishme që do të shënonin eksperiencën e tij në zhvillimin e platformave online.
Më tej, rrugëtimi i Barajt do të kalonte në sipërmarrje të tjera teknologjike. Sipas rrëfimit të tij, një prej projekteve më të rëndësishme ishte krijimi i një startup-i në fushën e inteligjencës artificiale, të cilin thotë se e shiti për 80 mijë euro.
Sot, në moshën vetëm 22-vjeçare, Orgito Baraj drejton kompaninë e tij të software-it, e cila ka 16 punonjës.
Sipas të dhënave të bëra publike prej tij, aktiviteti i kompanisë ka gjeneruar rreth 1.4 milionë euro të ardhura që prej vitit 2023.
Një histori që nisi në Ballsh me një kompjuter të parë dhe vazhdoi në Fier me projektet e para teknologjike, për t’u shndërruar në një rrugëtim sipërmarrës në industrinë e software-it dhe inteligjencës artificiale.
FieriWeb i uron shumë suksese Orgito Barajt në rrugëtimin e tij profesional dhe sipërmarrës!




