Anëtarësimi në BE/ Vendet anëtare japin dritën jeshile për mbylljen e Kapitullit 20, Rama: Forcohet perspektiva e Shqipërisë për investime, inovacion dhe punësim
Shqipëria ka marrë dritën jeshile nga Bashkimi Europian për mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale”. Lajmi është konfirmuar nga Agjencia për Media dhe Informim sipas së cilës, komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER) ka miratuar zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila do të mbahet më 13 tetor në Luksemburg, ku pritet të formalizohet ky hap në procesin e integrimit europian.
Kryeministri Edi Rama e ka përshëndetur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se Shqipëria po avancon drejt objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Europian
“Shqipëria mbyll Kapitullin e Katërt, nis numërimi mprapsht i kohës drejt objektivit historik. Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, shkroi kryeministri.
Kapitulli 20 përqendrohet te politikat për zhvillimin e sipërmarrjes dhe industrisë, me synim krijimin e një mjedisi më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm për biznesin. Ai përfshin mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimin e klimës së investimeve dhe forcimin e kapaciteteve të ekonomisë shqiptare për t’u integruar në Tregun e Vetëm Europian.
Pjesë e këtij kapitulli janë edhe politikat për digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat.
Me formalizimin e mbylljes më 13 tetor në Luksemburg, Kapitulli 20 do të bëhet kapitulli i katërt që Shqipëria mbyll përkohësisht brenda tre muajve, pas Kapitullit 25 për Shkencën dhe Kërkimin, Kapitullit 26 për Arsimin dhe Kulturën dhe Kapitullit 30 për Marrëdhëniet me Jashtë.




