Bashkëpiloti i Flydubai planifikoi sulm në aeroportin e Tel Avivit, i frymëzuar nga 11 Shtatori

Bashkëpiloti nga Omani, i cili më 30 shtator sulmoi kapitenin e një avioni të kompanisë Flydubai, kishte planifikuar ta përplaste aeroplanin në aeroportin ndërkombëtar të Tel Avivit, me qëllim shkaktimin e sa më shumë viktimave. Kështu ka bërë të ditur prokurori i lartë i Emirateve të Bashkuara Arabe, bazuar në gjetjet e hetimit të publikuara nga mediat shtetërore.
Sipas prokurorisë, bashkëpiloti ishte frymëzuar nga sulmet terroriste të Al-Kaedës më 11 shtator 2001 në Shtetet e Bashkuara dhe synonte të shkaktonte “humbjen më të madhe të mundshme të jetëve”.
Në gjetjet e hetimit thuhet se ai i kishte përmbushur kërkesat profesionale dhe të sigurisë për t’u punësuar, përfshirë posedimin e licencës së pilotit, paraqitjen e një dëshmie për sjellje të mirë dhe përfundimin e kontrolleve të kërkuara.
Megjithatë, sipas raportimit, piloti nga Omani ishte ndaluar më herët të fluturonte në vendin e tij për shkak të pikëpamjeve ekstremiste.
Pasagjerët kanë treguar se avioni pësoi një rënie të papritur prej rreth 5,000 metrash, duke shkaktuar panik në bord. Disa prej tyre hynë në kabinën e pilotëve dhe u përpoqën të ndihmonin në rimarrjen e kontrollit të avionit.
Kapiteni indian u plagos kur bashkëpiloti e sulmoi me sëpatë, por arriti të hapte derën e kabinës. Kjo u mundësoi pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit ta neutralizonin sulmuesin. Më pas, avioni bëri një ulje emergjente në Arabinë Saudite.
Shumica e pasagjerëve në bord ishin shtetas izraelitë.
Të enjten, presidenti izraelit, Isaac Herzog, u ndau Çmimin Presidencial për Heroizëm Civil gjashtë izraelitëve që ndihmuan në pengimin e tentativës për rrëmbimin e avionit të Flydubai.
“Guximi dhe zgjuarsia e treguar nga qytetarët që ndodhen këtu nuk mund ta zbehin detyrimin për të marrë përgjigje të plota. Të gjithë ne meritojmë përgjigje të qarta dhe bindëse”, deklaroi Herzog, sipas gazetës The Jerusalem Post.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vlerësoi guximin e pasagjerëve dhe të kapitenit për pengimin e sulmit. Ai gjithashtu urdhëroi një rishikim të plotë të të gjitha aspekteve të sigurisë që lidhen me aviacionin civil të huaj drejt Izraelit.




