Tiranë/ Shiste llastiqe dhe sfera metalike për protestuesit, arrestohet 23-vjeçari! Zbulohet magazina me 239 dronë dhe pajisje të shumta
TIRANË – Një 23-vjeçar është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Infrastruktura”, pasi dyshohet se tregtonte mallra të kontrabanduara dhe u kap duke u shitur llastiqe gjuetie dhe sfera metalike pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit.
Sipas Policisë, i riu u kap në flagrancë në rrugën “Tre Dëshmorët”, ku po shiste 30 llastiqe gjuetie të shoqëruara me sfera metalike. Dyshohet se këto mjete do të përdoreshin për të goditur punonjësit e Policisë dhe institucionet gjatë protestave.
Pas arrestimit, uniformat blu ushtruan kontroll në një magazinë që i përkiste 23-vjeçarit, në rrugën “Kol Koçi”, ku zbuluan mbi 450 pajisje dhe artikuj të ndryshëm, për të cilët ai nuk dispononte dokumentacion.
Çfarë u gjet në magazinë?
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi:
- 239 dronë të madhësive të ndryshme;
- 75 llastiqe gjuetie dhe një sasi të konsiderueshme sferash metalike;
- 44 telefona celularë dhe 17 powerbank;
- 10 pajisje GPS për lokalizimin e automjeteve dhe 3 dryna elektronikë me GPS;
- Një pajisje elektronike me antenë, e identifikuar si RFGS Detector;
- 3 palë syze me videoregjistrues dhe pajisje DVR;
- 7 pajisje Bluetooth dhe 8 pajisje Blackbox me kamera për automjete;
- 6 pajisje lazer dhe 8 elektrikë dore;
- 5 pajisje K-68 për zbulimin e GPS-ve dhe kamerave;
- 12 pajisje kompjuterike (mouse) dhe 7 pajisje me lojëra kompjuterike;
- 7 pajisje Watch 10 Pro Max;
- 8 çanta me hapje përmes gjurmës së gishtit;
- Si dhe pajisje të tjera elektronike.
Vijojnë hetimet
Operacioni u finalizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas administrimit të informacioneve të siguruara gjatë punës operative.
I arrestuari, shtetasi O. M., 23 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se i posedonte pajisjet dhe artikujt me qëllime të kundërligjshme.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale të dyshuara të tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë, kontrabandës me mallra të tjera, fshehjes së të ardhurave, mospagimit të taksave dhe tatimeve, si dhe ushtrimit të një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar.
FIERI WEB




