Qeveria kompenson humbjet nga karburanti me taksimin e makinave/ Kush preket dhe sa do të paguajnë shoferët

Qeveria propozon ndryshimin e formulës së taksimit të automjeteve, duke dyfishuar tarifën fikse që përdoret për llogaritjen e taksës vjetore për makinat me naftë dhe benzinë. Nga 1 janari, sipas skemës së propozuar, do të taksohen edhe makinat elektrike dhe rimorkiot, ndërsa detyrimi për automjetet luksoze rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë në vit.
Heqja e taksës së qarkullimit në karburant shoqërohet me një tjetër faturë për drejtuesit e automjeteve. Qeveria synon të kompensojë një pjesë të të ardhurave që humbet nga kjo masë përmes rritjes së taksës vjetore të makinave, duke rënduar veçanërisht pronarët e automjeteve me naftë dhe motorë me cilindratë të lartë.
Sipas ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale, tarifa fikse që përdoret në formulën e llogaritjes së taksës vjetore dyfishohet për makinat me motor deri në 2,000 kubikë. Për automjetet me naftë, ajo rritet nga 12.5 në 25 lekë, ndërsa për makinat me benzinë ose gaz nga 10 në 20 lekë. Për motorët mbi 2,000 kubikë, tarifa fikse parashikohet të jetë 26 lekë për naftën dhe 21 lekë për benzinën ose gazin.
Kjo do të thotë se, edhe nëse drejtuesit e automjeteve përfitojnë nga heqja e taksës së qarkullimit në pompë, ata mund të përballen me një rritje të ndjeshme të detyrimit vjetor.
Për shembull, një makinë 10-vjeçare me motor 2.0 naftë, sipas përllogaritjes së paraqitur, do të paguajë rreth 11,800 lekë taksë vjetore, nga rreth 5,900 lekë që paguan aktualisht. Pra, detyrimi rritet me afro 5,900 lekë në vit.
Për një automjet 10-vjeçar me motor 2.9 naftë, taksa do të shkonte nga 8,700 lekë në rreth 18,100 lekë në vit, ose afro 9,400 lekë më shumë.
Ndryshimet prekin edhe automjetet e reja, pasi parashikohet zgjerimi i bazës së taksimit për të përfshirë edhe mjete të moshës 0-3 vjeç që aktualisht përjashtohen nga kjo taksë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me makinat elektrike. Në vend të përjashtimit nga detyrimet përkatëse, projektligji parashikon një taksë fikse vjetore prej 15 mijë lekësh për automjetet elektrike dhe 1 mijë lekësh për motomjetet elektrike.
Ndërkohë, pronarët e makinave luksoze do të përballen me rritjen e taksës vjetore shtesë nga 21 mijë në 40 mijë lekë. Detyrime të reja parashikohen edhe për rimorkiot dhe gjysmërimorkiot, me tarifa të lidhura me peshën e mjetit.
Sipas dokumentacionit të Ministrisë së Financave, ndryshimet synojnë të sjellin rreth 33.8 miliardë lekë të ardhura vjetore nga taksat e automjeteve, kundrejt rreth 7.2 miliardë lekëve që parashikohet të sigurohen nga skema aktuale.
Megjithatë, heqja e taksës së qarkullimit dhe e TVSH-së që aplikohet mbi të pritet të ulë të ardhurat buxhetore me rreth 31.2 miliardë lekë. Në bilancin e përgjithshëm, paketa e re përllogaritet të ketë një efekt negativ neto prej rreth 5 miliardë lekësh, i cili, sipas relacionit, do të kompensohet nga masa të tjera fiskale.
Në thelb, ndryshimi zhvendos një pjesë të barrës nga karburanti drejt pronësisë së automjetit. Për drejtuesit e makinave, përfitimi nga heqja e taksës në pompë duhet parë përballë detyrimit të ri vjetor, i cili do të ndryshojë sipas cilindratës, llojit të karburantit dhe vjetërsisë së mjetit.
Përpara hyrjes në fuqi, mbetet e rëndësishme të shihet forma përfundimtare e projektligjit dhe mënyra se si do të zbatohen përjashtimet dhe tarifat e reja.




