Prokuroria Fier dërgon në gjyq një kompani dhe administratorin e saj për fshehje të të ardhurave, detyrimi ndaj shtetit mbi 1 milion euro

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shoqërinë “S” sh.p.k. dhe administratorin e saj, shtetasin me inicialet S.L., të akuzuar për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Sipas hetimeve, gjatë viteve 2017–2018, shoqëria dyshohet se nuk ka deklaruar të ardhura dhe ka shmangur detyrimet tatimore, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit.
Nga hetimet për procedimin penal nr. 1150, të vitit 2021, ka rezultuar se vetëm për vitin 2017 nuk janë deklaruar të ardhura në vlerën 133.415.631 lekë. Ndërkohë, shoqëria nuk ka dorëzuar as librat e shitjes dhe të blerjes.
Sipas ekspertimit kontabël, detyrimi tatimor i shmangur për periudhën objekt hetimi arrin në 48.834.581 lekë, ku përfshihen TVSH-ja dhe tatimi mbi fitimin për vitin 2017, si dhe TVSH-ja për vitin 2018.
Ndërsa, sipas Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier, detyrimi total i shoqërisë ndaj shtetit, duke përfshirë edhe gjobat dhe interesat, arrin në 112.604.938 lekë, ose mbi 1 milion euro.
Prokuroria bën me dije se hetimet janë bazuar në kontrollet tatimore, të dhënat bankare, informacionet e deklaruara nga klientët e shoqërisë dhe ekspertimin kontabël.
Shoqëria dhe administratori i saj akuzohen në bazë të nenit 180, paragrafi 3, të Kodit Penal, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”. Çështja tashmë do të shqyrtohet nga gjykata.




