Super El Niño alarmon botën, parashikimi i frikshëm për temperaturat në vitin 2027

Një fenomen klimatik me përmasa të pazakonta, i njohur si “Super El Niño”, ka ngritur shqetësime për pasoja të rënda në shëndetin publik në mbarë botën. Shkencëtarët paralajmërojnë se deri në shkurt të vitit 2027, temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë qindra mijëra viktima.
Sipas një raporti të Climate Impact Lab, fenomeni mund të shkaktojë deri në 451 mijë vdekje shtesë nga të nxehtit ekstrem gjatë periudhës qershor 2026 – shkurt 2027. Kjo shifër i referohet viktimave përtej numrit të zakonshëm të vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta.
Shqetësimet janë shtuar edhe pas paralajmërimeve të epidemiologëve, të cilët e kanë cilësuar ndikimin e mundshëm të El Niño-s si një krizë shëndetësore me përmasa pandemike. Studiuesit kanë kërkuar që Organizata Botërore e Shëndetësisë ta trajtojë fenomenin si një emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik.
El Niño është një fenomen natyror klimatik që lidhet me ngrohjen e pazakontë të ujërave të Oqeanit Paqësor dhe ndikon në modelet e motit në të gjithë planetin. Në këtë rast, intensiteti i tij pritet të jetë veçanërisht i lartë, ndërsa ndryshimet klimatike mund të përforcojnë pasojat.
Sipas parashikimeve, numri i ditëve me temperatura ekstreme mund të rritet me 44% krahasuar me vitet normale. Përveç të nxehtit, fenomeni mund të sjellë thatësira, përmbytje, zjarre masive dhe probleme me furnizimin me ushqime.
Vendet e Jugut Global pritet të përballen me pasojat më të rënda. Nigeria renditet ndër vendet më të rrezikuara, me rreth 31,400 vdekje shtesë të parashikuara nga temperaturat e larta. Rreziqe të konsiderueshme paraqiten edhe për Indonezinë, Sudanin, Indinë dhe Brazilin.
Organizata Botërore Meteorologjike ka paralajmëruar se El Niño do të forcohet gjatë muajve në vijim dhe mund të vazhdojë deri në shkurt të vitit 2027. Megjithatë, studiuesit theksojnë se shifra prej 451 mijë viktimash është një projeksion shkencor dhe jo një parashikim i sigurt. Ata kërkojnë marrjen e masave parandaluese, përfshirë sistemet e paralajmërimit për valët e të nxehtit, qendrat e freskimit dhe forcimin e shërbimeve shëndetësore.




