Goditet trafikimi i emigrantëve në Sarandë, arrestohet 19-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori

Operacioni “Transit 3”/ Transportonin kundrejt pagesës 4 shtetas kinezë drejt kufirit me Greqinë. Sekuestrohen dy automjete.
Policia Kufitare e Sarandës ka finalizuar operacionin e koduar “Transit 3”, duke goditur një rast të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt pagesës.
Në kuadër të operacionit është arrestuar një 19-vjeçar, me inicialet M. M., banues në Konispol, ndërsa është shpallur në kërkim një 21-vjeçar, me inicialet A. S., banues në Kosovë.
Sipas Policisë, dy të rinjtë bashkëpunonin për transportimin e katër shtetasve kinezë, të cilët synonin të kalonin ilegalisht në territorin grek.
19-vjeçari dyshohet se monitoronte rrugën për praninë e shërbimeve të Policisë, ndërsa 21-vjeçari transportonte me automjet katër shtetasit e huaj në drejtim të Konispolit.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, në afërsi të Konispolit, 21-vjeçari ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap, duke përfituar nga errësira dhe terreni.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy automjetet e përdorura për këtë veprimtari.
Policia vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.




