Pezullohen lundrimet në Durrës/ Moti i keq, udhëtimi drejt Barit në orën 22:00 është shtyrë për nesër në orën 08:00

Era e fortë dhe deti i dallgëzuar kanë çuar në pezullimin e lundrimit nga porti i Durrësit drejt portit italian të Barit e anasjelltas, duke shtyrë me 10 orë nisjen e trageteve të parashikuar për mbrëmjen e kësaj të enjteje.
Sipas Autoritetit Portual të Durrësit, tragetet që do të niseshin në orën 22:00, do të largohen mëngjesin e 13 nëntorit, në orën 08:00. Udhëtarët janë njoftuar për ndryshimin e orarit, por ata thonë se kanë pak informacion mbi kohën e nisjes.
“Kur erdha në Shqipëri, gjithçka shkoi mirë, pa probleme. Tani nuk e di, thonë se ka vonesë, por shpresoj të mbërrijë të paktën në kohë në Itali”, tha udhëtari italian.
Ndërkohë, procedurat e imbarkimit të pasagjerëve dhe automjeteve kanë vijuar normalisht.
Udhëtarët do i kalojnë orët e pritjes në dy tragetet e linjës, të cilët do të nisen vetëm kur kushtet në det të lejojnë lundrim të sigurt.
Edhe për anijet e peshkimit autoritetet detare e kanë pezulluar daljen në det deri në përmirësim të motit.




