HITA NË ROMË, TAKIM ME DREJTUESIT E POLICISË KRIMINALE DHE ANTIMAFIAS ITALIANE: STRATEGJI E PËRBASHKËT KUNDËR GRUPEVE KRIMINALE

Romë, Itali – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një tjetër takim të rëndësishëm në Romë, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit mes strukturave policore shqiptare dhe italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale ndërkufitare.
Hita, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, u prit në Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale nga Prefekti Raffaele Grassi, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Sigurisë Publike dhe Drejtor Qendror i Policisë Kriminale, si dhe nga Gjenerali Nicola Massimo Masciulli, Drejtor i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA).
Gjatë takimit u diskutua për intensifikimin e veprimeve të përbashkëta hetimore dhe operacionale kundër grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri dhe Itali, si dhe për goditjen e trafikut të narkotikëve, trafiqeve të paligjshme dhe krimeve kibernetike.
Një ndër prioritetet kryesore ishte shkëmbimi në kohë reale i informacionit dhe inteligjencës policore, koordinimi i operacioneve të përbashkëta dhe goditja e burimeve financiare të organizatave kriminale.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe lokalizimit dhe kapjes së personave të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe italiane.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, shprehu angazhimin për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, duke paralajmëruar rritjen e numrit dhe kapaciteteve të skuadrave të përbashkëta hetimore, me qëllim zhvillimin e hetimeve më të thelluara dhe realizimin e operacioneve të koordinuara.
Nga ana e tyre, drejtuesit e lartë të Policisë Kriminale dhe Antimafias italiane vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me strukturat shqiptare dhe shprehën gatishmërinë për ta çuar atë në një nivel të ri.
Në përfundim të takimit u diskutua për hartimin e një strategjie të re të përbashkët, e cila synon rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar.




