Punimet për argjinaturën e Vjosës drejt përfundimit, rehabilitohet segmenti pranë fshatit Ferras

Punimet për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Vjosë janë drejt përfundimit. Pas ndërhyrjes në segmentin që kalon në Kafaraj, tashmë Bordi i Kullimit pranë Bashkisë Fier po kryen punimet në pjesën më të dëmtuar të argjinaturës, pranë fshatit Ferras.
Ndërhyrja synon të parandalojë depërtimin e ujërave të lumit Vjosë drejt zonave të banuara, duke rritur sigurinë për banorët, veçanërisht gjatë periudhave me reshje të dendura dhe prurje të larta të lumit.
Faza përfundimtare e punimeve përqendrohet në segmentin e Ferrasit, aty ku ujërat e Vjosës kanë depërtuar më parë në drejtim të fshatit përmes Kanalit të Martinës.
Sipas të dhënave për projektin, ndërhyrja ka përfshirë jo vetëm riparimin e çarjeve dhe dëmtimeve të argjinaturës, por edhe ngritjen e nivelit të saj. Konkretisht, niveli është rritur nga 10 deri në 45 centimetra në Degën e Martinës, ndërsa në bankinën e Kolektorit të Klosës ngritja varion nga 10 centimetra deri në 1 metër.
Dëmtimet në këtë infrastrukturë u shkaktuan nga vërshimet e janarit të kaluar, kur u dëmtua edhe bankina e kanalit vaditës, e njohur si Dega e Martinës, e cila shërben njëkohësisht edhe si argjinaturë mbrojtëse.
Në total, ndërhyrja për rehabilitimin e argjinaturës së Vjosës përfshin rreth 3 400 metra linearë.
Banorët e zonës e konsiderojnë këtë investim të rëndësishëm për mbrojtjen e fshatit nga përmbytjet, duke shpresuar se përforcimi i argjinaturës do të shmangë përsëritjen e situatave të mëparshme, kur ujërat e lumit kanë rrezikuar banesat dhe tokat bujqësore.




