
Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Hijet e Natës”, duke zbardhur pesë raste të vjedhjes së automjeteve në Mallakastër, Lushnjë dhe Divjakë.
Në kuadër të operacionit është arrestuar shtetasi Gjevahir Ceka, 51 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, ndërsa dy persona të tjerë, K. M., 28 vjeç, dhe E. D., 34 vjeç, janë shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve, tre shtetasit dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim, duke vjedhur automjete në zona të ndryshme të qarkut Fier, me dyshimin se do t’i përdornin për veprimtari kriminale.
Dy prej vjedhjeve janë kryer më 13 nëntor 2026, në fshatin Hekal të Mallakastrës. Ndërsa tre rastet e tjera janë dokumentuar në:
- 8 janar 2026, në fshatin Feras, Divjakë;
- 13 shtator 2026, në fshatin Çermë Proshkë, Divjakë;
- 18 tetor 2026, në fshatin Dushk, Lushnjë.
Operacioni u zhvillua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me DVP Lezhë dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Policia vijon kontrollet për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, si dhe hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.




