Prokuroria e Vlorës sekuestron 7.5 milionë euro pasuri, dyshime për përvetësimin e Fabrikës së Miellit

Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 7.5 milionë euro në pronësi të një shtetasi me inicialet G.V., i dyshuar për përvetësimin e Fabrikës së Miellit nr. 1 në Vlorë përmes mashtrimit.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet e nisura pas kallëzimit të tre shtetaseve, dyshohet se G.V. ka përvetësuar objektin dhe truallin e fabrikës, duke e regjistruar në emrin e tij dhe jo në emër të shoqërisë tregtare ku kishte ortakë të tjerë.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu dyshime se një pjesë e pasurisë është tjetërsuar te dy shtetas të tjerë, K.B. dhe Xh.Ç., duke ngritur dyshime edhe për pastrim të produkteve të veprës penale.
Me kërkesë të Prokurorisë, është vendosur sekuestro preventive mbi tetë pasuri të paluajtshme në Vlorë, të regjistruara në emër të G.V. dhe dy shtetasve të tjerë.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë ndërtesa, njësi dhe troje në lagjen “1 Maji”, si dhe pjesë të objekteve që lidhen me Fabrikën e Miellit.
Shtetasi G.V. hetohet për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të parashikuara nga nenet 143 dhe 287 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të çështjes




