Aksidenti i rëndë në Fier-Vlorë/ Arrestohet shoferi i skrepit, nga ngjarja humbi jetën shefi i Krimeve Ermal Lulaj

Policia ka arrestuar 63-vjeçarin Thanas Poçaj, drejtuesin e skrepit me të cilin u përplas automjeti i shefit të Krimeve të Vlorës, Ermal Lulaj, i cili humbi jetën në aksidentin tragjik në aksin Fier–Vlorë.
Mësohet se 63-vjeçarit i është komunikuar masa e sigurisë në ambientet e spitalit, ku ndodhet për shkak të dëmtimeve të marra nga aksidenti.
Sipas të dhënave paraprake, skrepi po lëvizte në autostradë, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor. Automjeti i drejtuar nga Ermal Lulaj është përplasur nga pas me mjetin e rëndë.
Ndërkohë, sipas policisë, skrepi nuk kishte ndriçim në pjesën e pasme, çka dyshohet se ka ndikuar në shkaktimin e aksidentit fatal.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë për ngjarjen.




