27 TONË MISH DERRI I PACERTIFIKUAR NË FIER, AKU E BLLOKOI DHE MBYLLI SYTË PËR NJË MUAJ

Një ngarkesë prej 27 tonësh mish derri të pacertifikuar, e shoqëruar me dokumente të dyshuara si të falsifikuara, mbërriti më 7 tetor 2026. Një ditë më pas, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) bëri bllokimin e saj, por edhe pas një muaji mishi ende nuk ishte asgjësuar.
Emisioni investigativ “Fiks Fare” ndoqi nga afër këtë çështje, duke kërkuar të zbardhë mënyrën se si kishte hyrë ngarkesa në vend dhe arsyet e vonesës së asgjësimit.
Gazetarët iu drejtuan subjektit “King Mit”, përgjegjës për sjelljen e ngarkesës, për të marrë shpjegime mbi dokumentacionin dhe procedurat e importit. Por subjekti refuzoi të bashkëpunonte me ekipin e Fiks Fare, ndërsa pronari deklaroi se nuk jepte llogari në media.
Gjatë investigimit, ekipi i emisionit qëndroi për shtatë orë në Fier, ku ndoqi një aksion me pjesëmarrjen e Policisë, strukturave të Krimit Ekonomik, Prokurorisë dhe AKU-së.

I pyetur përse mishi nuk ishte asgjësuar, AKU Fier pretendoi se procedura po pengohej nga Prokuroria. Por ky pretendim u hodh poshtë nga vetë Prokuroria, e cila, në një përgjigje për Fiks Fare përmes Blerina Gjylametit, sqaroi se nuk kishte dhënë asnjë urdhër për mbajtjen e ngarkesës pa u asgjësuar.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me faktin se struktura e Hetimit Ushqimor ka kallëzuar kolegë të AKU-së në Fier dhe punonjës të Doganës, për problematikat e konstatuara në këtë çështje.
Kështu, mbeten ende pikëpyetje mbi përgjegjësitë institucionale: Kush duhej të kryente asgjësimin e 27 tonëve mish dhe përse kjo procedurë u vonua për një muaj?
Fiks Fare vijon investigimin për një çështje që ngre shqetësime serioze për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.




