KORÇË/ KANOSI ME THIKË PRONAREN E KLINIKËS DENTARE DHE I VODHI LAPTOPIN, ARRESTOHET 44-VJEÇARI

Një 44-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Korçë, pasi hyri për të vjedhur në një klinikë dentare, ku kanosi me thikë pronaren dhe e shtyu me forcë.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 5 të qytetit. Sipas policisë, 44-vjeçari me inicialet A. Ç., banues në Korçë dhe me precedent penal për vjedhje me dhunë, hyri në ambientet e klinikës, ku pasi kërcënoi me thikë pronaren, arriti të marrë një laptop.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë Korçë ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.
Gjatë veprimeve policore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale thika e dyshuar e përdorur për kanosjen dhe laptopi i vjedhur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.




