Tre operacione policore në Lushnjë dhe Divjakë, 3 persona në pranga! Sekuestrohen kokainë, 32 monedha antike dhe armë gjahu

Tre operacione policore të koduara “Holder”, “Coins” dhe “Gjurmët” janë finalizuar gjatë 24 orëve të fundit nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, në qytetet e Lushnjës dhe Divjakës.
Në kuadër të këtyre operacioneve janë arrestuar tre persona, të moshave 23, 48 dhe 52 vjeç, të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike, trafikim të veprave të artit dhe kulturës, mbajtje pa leje të armëve të gjahut, si dhe vjedhje.
Operacioni i parë, i koduar “Holder”, u zhvillua nga Sektori i Narkotikëve në DVP Fier, ku u arrestua një 48-vjeçar me inicialet K. K., banues në Lushnjë. Ai dyshohet se ushtronte veprimtarinë e shitjes së lëndëve narkotike në doza.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhjetëra doza të dyshuara si kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, policia sekuestroi automjetin dhe telefonin celular të 48-vjeçarit.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Coins”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Lushnjë, u arrestua një tjetër banor i qytetit, 52-vjeçari E. Sh.
Gjatë kontrollit në banesën e tij u zbuluan dhe u sekuestruan 32 monedha antike, të dyshuara të trafikuara, si dhe dy armë gjahu që 52-vjeçari i posedonte pa leje. Ai dyshohet për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Operacioni i tretë, i koduar “Gjurmët”, u finalizua nga Komisariati i Policisë Divjakë, duke çuar në pranga një 23-vjeçar me inicialet A. P., banues në Divjakë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se i riu është autor i dy vjedhjeve të ndodhura në periudha të ndryshme. Konkretisht, më 18 nëntor 2026, ai dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një dyqan në fshatin Fier-Seman, ndërsa më 26 korrik 2026 dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një kabinë plazhi në Divjakë.
Materialet procedurale për të tre rastet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Policia bën me dije se këto rezultate janë arritur në kuadër të kontrolleve dhe punës intensive hetimore për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në territorin e qarkut Fier.




