KLEVIS QOSE NË ATHINË, TAKIM ME HOMOLOGUN GREK: DREJT MARRËVESHJES DYPALESHË MES AMP DHE AUTORITETEVE GREKE

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Klevis Qose, ka zhvilluar një takim zyrtar në Athinë me homologun e tij grek, Gjeneral Brigade Ioannis Dimitrakopoulos, në praninë e përfaqësuesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit institucional mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe konkretizimi i një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet dy agjencive homologe.
Marrëveshja e synuar pritet të krijojë mundësi për një bashkëpunim më të ngushtë në parandalimin, identifikimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, si dhe në forcimin e integritetit dhe standardeve profesionale në strukturat ligjzbatuese.
Takimi në Athinë shënon një hap drejt zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e mbikëqyrjes policore, transparencës dhe forcimit të mekanizmave të kontrollit institucional.
Përmes kësaj nisme, AMP synon të thellojë marrëdhëniet me institucionet homologe ndërkombëtare dhe të rrisë kapacitetet e saj në funksion të garantimit të ligjshmërisë dhe integritetit në radhët e strukturave të zbatimit të ligjit.




