FIER/ EKZEKUTIMI ME BRESHËRI PLUMBASH “SEL ÇAMIT” NË OBORRIN E BANESËS, DHE PLAGOSJA E NIPIT! AUTORËT DYSHOHET SE ISHIN TË VESHUR ME UNIFORMA POLICIE, MAKINËN E DJEGIN NË NDËRMENAS

FIER – Një atentat i rëndë me armë zjarri tronditi paraditen e sotme qytetin e Fierit, ku 60-vjeçari Selami Hasani, i njohur ndryshe si “Sel Çami”, u ekzekutua me breshëri plumbash në oborrin e banesës së tij, ndërsa mbeti i plagosur edhe nipi i tij, 47-vjeçari Jakup Hasani.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 09:40, në lagjen “1 Maji” të Fierit. Sipas të dhënave paraprake, viktima ndodhej në pjesën e jashtme të oborrit të banesës, kur dy persona të maskuar zbritën nga një automjet dhe hapën zjarr në drejtim të tij.
Një detaj i rëndësishëm që po verifikohet nga grupi hetimor lidhet me veshjen e autorëve. Sipas informacioneve konfidenciale, dyshohet se personat që kryen atentatin kanë qenë të veshur me uniforma policie. Ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia.
Nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur edhe nipi i viktimës, Jakup Hasani, 47 vjeç, i cili u transportua në Spitalin Rajonal të Fierit dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alkët Ahmetaj, konfirmoi se ngjarja ndodhi në perimetrin e jashtëm të oborrit të banesës dhe se i plagosuri po merrte ndihmë mjekësore në spital.
Largimi drejt Vlorës dhe makina e djegur
Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Vlorës. Sipas hetimeve paraprake, në organizimin e atentatit mund të jenë përfshirë disa persona, ndërsa një automjet tip Volvo, i bardhë dhe i dyshuar si i vjedhur, dyshohet se është përdorur për largimin e autorëve.
Pak minuta pas ngjarjes, automjeti u gjet duke u djegur pranë rrethrrotullimit të Pojanit, në autostradën Fier–Vlorë. Brenda tij nuk është gjetur arma e krimit.
Policia ngriti pika të shumta kontrolli në akset rrugore Fier–Vlorë dhe në zona të tjera, ndërsa kontrolle janë ushtruar edhe në drejtim të jugut, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Pista e hakmarrjes, kontrolle edhe në banesën e A.B.
Një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes, për shkak të konflikteve dhe hasmërisë së vjetër që dyshohet se lidhen me të kaluarën kriminale të viktimës.
Në kuadër të hetimeve janë ushtruar kontrolle edhe në banesën e personit të njohur me inicialet A.B., ndërsa grupi hetimor po verifikon çdo rrethanë që mund të çojë në identifikimin e organizatorëve dhe ekzekutorëve.
E kaluara kriminale e Selami Hasanit
Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami”, kishte një të kaluar kriminale dhe ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt.
Në të njëjtën ngjarje mbeti i vrarë edhe kambisti Esat Tare, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj, ky i fundit kalimtar i rastit.
Hasani kishte lënë qelinë e burgut prej disa vitesh.
Hetimet për atentatin vijojnë, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e rolit të secilit prej tyre.




