KRONIKË
Aksident në aksin Levan–Tepelenë, përplaset makina e Policisë me një furgon në Kashisht

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në aksin Levan–Tepelenë, në vendin e quajtur Kashisht, ku janë përplasur një furgon tip “Mercedes” dhe një automjet policie.
Automjeti i Policisë dyshohet paraprakisht se i përket Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar që të kenë pasur nevojë për transportim drejt spitalit. Si pasojë e përplasjes janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në vendngjarje ka mbërritur Policia, e cila po punon për dokumentimin e aksidentit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të përplasjes.




