Policia dhe FNSH aksion antidrogë në Nikël, asgjësohen 685 fidanë kanabis, shpallet në kërkim një 53-vjeçar
Finalizohet faza e tetë e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”. Si rezultat janë asgjësuar në fshatrat Kuçaj, Zezë dhe Verjon, 685 fidanë cannabis sativa të kultivuar në tokë.
Po ashtu është identifikuar dhe shpallur në kërkim një nga autorët e dyshuar të këtij rasti kultivimi, Aekez Dibrani.
Gjatë 7 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, janë gjetur dhe asgjësuar 6347 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa, të kultivuara në tokë dhe në kubikë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, ato të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës dhe 6 grupe të FNSH Tiranë, të asistuar nga dronë, kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në territoret e fshtrave Kuçaj, Zezë dhe Verjon, të njësisë administrative Nikël, Krujë.
Si rezultat i kontrolleve, gjatë fazës së tetë të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u gjetën të kultivuar 685 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Fidanët dhe bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë kanë identifikuar dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin A. D., 53 vjeç, banues në fshatin Zezë, autor i dyshuar i 250 fidanëve cannabis sativa që u gjetën të kultivuar në afërsi të banesës së tij.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të tjerë të kësaj veprimtarie kriminale.
Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.