Kronologjia e ekzekutimit të Nikolinit 300 metra larg banesës, “Toli” i shpëtoi atentatit me eksploziv në 2013/ Dyshimet e gjakmarrjes: 19 prill Nikulaj-19 korrik Lekstakaj
Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja që mori vëmendjen e të gjithë Shqipërisë, pasditen e 19 korrikut.
Një ekzekutim me automatik, plumbat e të cilit u lëshuan drejt Nikolin (Marku) Lekstakajt, prej një automjeti me xhama të zinj.
Vrasja ka ndodhur në aksin “Lezhë-Shkodër”, sakaq mësohet se mjeti në të cilin gjendeshin dy persona të maskuar ishte duke ardhur prej Shkodrës.
Duke qenë se gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave me një përpikmëri të lartë, dyshohet se atentati ka qenë i mirëorganizuar dhe se viktima 42-vjeçare mund të ketë qenë në përndjekje gjatë gjithë ditës.
Nikolin Lekstakaj, sapo kishte blerë një pije freskuese “Coca-Cola”, në një market në Balldre, vetëm 300 metra larg banesës së tij.
Në zonën ku ka ndodhur vendngjarja nuk ka pasur kamera sigurie, sikurse as gëzhoja, pasi shkarkimi i automatikut është bërë nga brenda mjetit, prej një autorëve, ndërsa tjetri kujdesej për drejtimin e mjetit.
Grupi hetimor është duke bërë këqyrjen e makinës që përdorte viktima, e cila ka qenë në pronësi të vëllait të tij, Bledar Lekstakajt i cili mësohet se ka qenë duke e shoqëruar vëllain e tij, kur ka ndodhur ngjarja. Përpos kësaj, disa persona janë marrë në pyetje, së bashku me shitësen e marketit, të gjendur mes krimit.
42-vjeçari, nuk shfaqej shumë në zonë dhe lëvizjet e tij kanë qenë tepër të reduktuara.
Mësohet se në vitin 2013, atij i është bërë një atentat me eksploziv në makinën që posedonte.
I njohur me pseudonimin “Toli”, i ndjeri ka ndërruar mbiemrin nga Lekstakaj në Marku.
Dyshimet për hakmarrje janë ato që mbizotërojnë pistën e ngjarjes, për shkak të hasmërisë që fisi Lekstakaj ka pasur me fisin Nikulaj.
Në të njëjtën datë, tre muaj më parë, është vrarë Ardian Nikulaj, në lokalin e tij në Shëngjin.
Alfred Elezi, Drejtori i Policisë vendore të Lezhës është deklaruar për mediat rreth atentatit ndaj Nikolin Lestakajt i cili ishte duke dalë nga marketi. Dyshimet e autoriteteve janë për një hakmarrje ose gjakmarrje.
Policia: Sot rreth orës 18:30 morëm njoftimin që u bëra Nikolin Marku Lestakaljt. Nga shërbimet e policisë është ngritur grupi hetimor dhe në koordinim plotë plotë me prokurorinë po punohet për rastin dhe identifikimin e autorit. Jemi ende në hetim. Dyshojmë për hakmarrje ose gjakmarrje. Po sigurojmë të gjitha provat.
Nikulajt dhe Lekstakajt e kanë nisur konfliktin 27 vite më parë. Në vitin 1996, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës ka mbetur i vrarë vëllai i Ardian Nikulajt. Në atë kohë, vëllai i biznesmenit Nikulaj, Pëllumb Nikulaj, bashkë me Fran Qulajn, punonin në një pikë karburanti.
Një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj ka shkuar për të furnizuar makinën aty dhe në një moment punonjësit kanë nisur të debatojnë me drejtuesin. Debati ka ndodhur me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën e karburantit, 10 mijë lekë të vjetra.
Pas debatit ata janë larguar dhe njëri prej tyre është rikthyer i armatosur disa minuta më vonë duke qëlluar në drejtim të karburantit. Nga të shtënat mbeti i vrarë edhe vëllai i Ardian Nikulajt, Pëllumbi dhe kolegu tij Fran Qulaj.
Pak muaj pas kësaj ngjarje, më 29 shtator të vitit 1997, në Balldre të Lezhës u vranë Gëzim Ded Lekstakaj dhe Lauren Ndoc Gjetja, konkretisht dajë e nip. Ndërsa më 30 mars të vitit 1999, është vrarë shtetasi Gjovalin Lekstakaj dhe është plagosur Pjetër Lekstakaj.
Njoftimi i Policisë: Lezhë/Informacion paraprak
Më datë 19.07.2023, rreth orës 18:30, në Balldre, Lezhë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi N. M (L), rreth 42 vjeç.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli e vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.