Ditën e djeshme në Padova të Italisë është vrarë një shqiptar 24-vjeç i identifikuar si Albert Deda dhe dy të tjerë janë të plagosur në gjendje të rëndë.
Dy të rinj po nga Shqipëria janë arrestuar ditën e sotme me akuzën për vrasjen e Albert Dedës, si dhe për tentativën e vrasjes së dy bashkatdhetarëve të tij të moshës 26 dhe 28 vjeç.
Vrasësit e dyshuar shqiptarë 19 dhe 24 vjeç, ishin zhdukur pas krimit, i cili ndodhi në via Dorighello në rrethin Forcellini. Të dy u panë nga policia në mbrëmjen e vonë të së dielës, në autostradë në kryqëzimin Villesse, rreth 20 kilometra nga kufiri me Slloveninë.
Ata u panë të veshur me rroba të reja, të cilat ishin ende me etiketë dhe kishin plagë të vogla me thikë në duar, ku sipas hetuesve i kanë pësuar gjatë sulmit.
Dy vrasësit e dyshuar që banonin në të njëjtën ndërtesë ku jetonte viktima dhe të plagosurit dhe ku ndodhi krimi të dielën, për 20 km do hynin në Slloveni, por u bë menjëherë e mundur kapja e tyre.
Sherri mes të rinjve filloi brenda një banese, e cila degjeneroi në agresion dhe kulmoi, me goditjen me thikë fatale të njërit prej personave të përfshirë.
Mbetet për t’u sqaruar motivi. Dy të plagosurit e tjerë janë ende në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit dhe nuk janë në gjendje të japin deklarata.