E RËNDË/ Babai u gjet i vdekur në kamionin e kompanisë ku punonte në Fier, fëmijët: I kishte rënë të fikët dy herë, nuk na njoftoi asnjë!
Ishte mëngjesi i 22 korrikut, ku Arif Karemani, shkoi si çdo ditë në kompaninë “Sinaj SH.P.K”, ku punonte prej 23 vitesh, pa e ditur, se ajo do të ishte hera e tij e fundit atje.
Gjatë orëve të punës, kolegët kanë konfirmuar për dy fëmijët e 60-vjeçarit, se ai nuk ishte ndier mirë, e për këtë ishte njoftuar drejtori dhe pronari i kompanisë, por megjithatë, sipas pretendimeve të familjarëve, ai nuk është zëvendësuar nga një tjetër person, apo të informoheshin mbi gjendjen e të atit.
Familjarët nisën të merakoseshin për fatin e të afërmit e tyre në orët e pasdites, ku Arifi nuk i telefononi si zakonisht dhe s’iu përgjigjej thirrjeve të tyre nëpërmjet celularit.
Këtu, ata vendosën që të zhvillonin vetë kërkimet e tyre, të përqendruara në ambientet e punës së babait dhe lokalet e tjera përreth. Familjarët pretendojnë se pas kërkimeve të shumta, shoqëruar edhe nga pronarin e firmës, e kanë gjetur të atin pa shenja jete në një nga kamionët e shoqërisë “Sinaj SH.P.K”, ndërsa fajësojnë për neglizhencë ambulancën dhe policinë rajonale.
Kamerat e sigurisë në ambientet e firmës, kanë fiksuar momentet e fundit të 60-vjeçarit, ai shihet teksa futet në kamionin ku pas disa orësh u gjend i vdekur.
Familjarët, fajësojnë eprorët e babait të tyre për neglizhencë dhe thonë se kërkojnë drejtësi. Gjithashtu ata treguan se janë në pritje të përgjigjes së autopsisë, për të ndjekur më pas të gjitha rrugën ligjore, deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.