Pas debatit brenda, e thirri jashtë lokalit dhe e qëlloi me armë, detaje nga plagosja në Fier. Ja makina me të cilën u largua autori
Orges Buzi, 33 vjeç është qëlluar me armë zjarri nga një person pas një sherri të ndodhur në një lokal në Fier.
Ngjarja ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e njohur si “Vija e Ngjalës”, ku autori i dyshuar Ledion (Enea) Nebiu, 30 vjeç, nga Patosi plagosi me armë zjarri 33-vjeçarin dhe më pas u arratis.
Gazetari Ervis Kuçi raportoi se sherri mes tyre ka nisur brenda lokalit, ku ndodheshin në tavolina të ndryshme. Ata kanë filluar të debatojnë me fjalë fillimisht. Më pas autori e ka thirrur 33-vjeçarin Buzi jashtë lokalit dhe e ka qëlluar një herë me pistoletë në pjesën e poshtme të trupit dhe është larguar.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar dhe pamjet nga makina me të cilën është larguar autori, teksa policia është vënë në ndjekje të tij.
33-vjeçari i plagosur ndërkohë ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Policia vijon kontrollet në zonë dhe në ambiente të ndryshme, për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe çdo provë tjetër që do t’i shërbejë dokumentimit të plotë të ngjarjes. Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.