Andi Lala ra nga vinçi teksa priste palmat, arrestohen dy punonjësit e “AL – STEEL”
Drejtori teknik i firmës “AL – STEEL CONSTRUCTION 01”, Enrik Mahmutaj dhe manovratori i vinçit, Blerim Margeshi janë vënë në prangat e Policisë së Durrësit, pasi një 35 vjeçar që ishte duke punuar bashkë me ta ra nga koshi i vinçit dhe vdiq.
Referuar deklaratës zyrtare, bëhet me dije se Andi Lala po priste degët e palmave gjatë punimeve që po kryhen në Durrës për ndërtimin e pedonales në lagjen nr.13 të qytetit.
Pavarësisht se ishte punonjës i kompanisë “AL – STEEL CONSTRUCTION 01”, Policia e qytetit bregdetar bën me dije se punimet që po kryheshin nga kjo firmë në pedonale, ishin pa lejen e organeve kompetente.
Në këto kushte, është bërë arrestimi në kushtet e flagrancës i shtetasve Enrik Mahmutaj, 33 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i firmës dhe Blerim Margeshi, 42 vjeç, banues në Durrës, drejtues i vinçit nga i cili ra shtetasi Andi Lala.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për këtë ngjarje të ndodhur në lagjen nr.13, ku humbi jetën punonjësi i një firme që kryen punime për ndërtimet e pedonales në këtë zonë, i cili po priste degët e palmëve, pa lejen e organeve kompetente, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
– Enrik Mahmutaj, 33 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i firmës;
– Blerim Margeshi, 42 vjeç, banues në Durrës, drejtues i vinçit nga i cili ra shtetasi A. L., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili për pasojë humbi jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Durrësit.