“U largua si hero”, Egnatia ngushëllime për kapitenin e tyre të ndjerë
Ndarja nga jeta e sulmuesit Raphael Dwamena-s tronditi mbarë futbollin shqiptar, me sulmuesin 28-vjeçar që pësoi arrest kardiak në fushë në ndeshje e Egnatia-s ndaj Partizanit dhe mbylli sytë përgjithmonë në spitalin e Kavajës, ku u dërgua për ndihmë mjekësore.
Në një reagim në faqen zyrtare, klubi i Egnatias i shpreh ngushëllime familjes, ndërsa thekson se humbën kapitenin që luftonte çdo “betejë”, që siç shkruhet në postim, “u largua si hero nga kjo botë e padrejtë”.
“Klub Futboll Egnatia, minuta e 25-të e ndeshjes me Partizanin ishte një moment paniku për të gjithë ne pasi kapiteni ynë Raphael Dwamena u shemb në tokë duke na lënë të gjithëve pa fjalë.
Pavarësisht ndihmës së parë të dhënë nga stafet mjekësore në fushë dhe në Spitalin e Rrogozhinës Dwamena nuk arriti të mbijetojë.
Kapiteni që luftonte në çdo betejë nuk arriti sot të mposhte atakun kardiak duke u larguar si hero nga kjo botë e padrejtë.
Klubi në emër të presidentit Agim Demrozi i shpreh ngushëllimet me të sinqerta familjes së kapitenit të ndier Raphael Dwamena dhe falënderon të gjithë opinionin sportiv për solidarizimin e dhënë.”-shkruhet në reagimin e klubit të Egnatias.