Legjenda italiane, Gianluigi Buffon ka komentuar grupin B të Euro2024, ku Italia do përballet me Spanjën, Shqipërinë dhe Kroacinë.
Buffon i cili ishte shefi i delegacionit të Italisë në shortin e Euro2024, dha edhe një koment për Shqipërinë, me të cilën Italia luan ndeshjen hapëse të turneut më 15 Qershor.
Ai tha se ndeshja me Shqipërinë do të jetë një stimul, pasi është një skuadër e fortë dhe që do jetë problem për të gjithë.
Por jo vetëm kaq, pasi Buffon lavdëroi kuqezinjtë duke thënë se Shqipëria ka vlera dhe i ka demonstruar.
“Do të jetë një stimul. Objektivisht besoj se është më mirë dhe më e ndershme të mos e vendosësh “karrocën përpara kalit”. Shqipëria është në një grup shumë të vështirë, por meriton respekt jo vetëm nga ne, por edhe nga Spanja dhe Kroacia. Ajo do jetë problem i yni, por edhe i Spanjës dhe i Kroacisë. Nuk mund ta dimë paraprakisht nëse një barazim apo një disfatë në debutim mund të rrezikojë kualifikimin. Shqipëria ka vlera dhe i ka demonstruar. Natyrisht, ne nuk marrim asgjë si të mirëqenë.”