Prokurori i SPAK paraqet kërkesën në Kuvend: Pse kërkojmë autorizimin për arrestimin e deputetit Sali Berisha
Prokurori i SPAK, Arben Kraja ka kërkuar sot para Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve autorizimin për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në mbledhjen e Këshillit Kraja tha se ekziston dyshimet për kryerjen e veprës penale të korrupsionit nga Berisha në kohën që ka qenë kryeministër i vendit.
Arben Kraja: Nga hetimet vlerësohet se Berisha në cilësinë si kryeministër në periudhën 2005 e në vijim ka miratuar vendime ku përfitues i drejtpërdrejtë ka qenë edhe bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi. Nga Berisha janë kryer veprime aktive për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura shtetërore. Përfitime të parregullta janë të gjitha përfitimet monetare që ka marrë Jamarbër Malltezi, të llogaritura në shumën 5 milionë euro. Përfitimi mund të jetë jo vetëm për vete, por edhe persona të tjerë.
Mbështetur mbi ligjin SPAK i është drejtuar GJKKO-së duke kërkuar masën detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore dhe ndalim i daljes jashtë shtetit nga Berisha.
Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë. Gjykata e Apelit vendosi ndër të tjera miratimin e vendimit të Gjykatës së shkallës së parë. Referuar procesverbalet e mbajtura nga oficeri i policisë gjyqësore, rezulton se Berisha nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës për tu paraqitur dy herë në muaj. Vlerësojmë se nga hetimet e kryera ekziston dyshimi i arsyeshëm se nga Berisha është konsumuar vepra penale e korrupsionit pasiv. Berisha në mënyrë të përsëritur nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës për tu paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore. Ne kërkojmë dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Sali Berisha, duke zëvendësuar masën e detyrimit për tu paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore në arrest me burg/ arrest shtëpie.