Rikthehen nordikët, në 2025 katër chartera në javë nga aeroporti i Vlorës
Një treg që duket se do të ketë rikthim më të plotë vitin tjetër janë nordikët. Këta të fundit para pandemisë u vendosën gjerësisht në zonën e Golemit, duke u bërë një nga grupet e preferuara pasi cilësohen si turistë që shpenzojnë.
Por më pas duket se agjencitë kuptuan që mund të siguronin akomodim në çdo moment, ndaj kaluan këtë marrëdhënie në “allotment”, pa shumë angazhim.
Rritja e rezervimeve me kontrata garancie në njërën anë, por edhe pritshmëria që Aeroporti i Vlorës të nisë funksionimin duket se ka rikthyer nordikët, që të rezervojnë në pjesën e Jugut të vendit dhe të parashikojnë të paktën katër chartea në javë.
“Si të organizuar kemi edhe nordikët. Do të vendosen në Vlorë dhe parashikohet që të kenë katër chartera në javë.
Sigurisht këto marrëveshje i kemi bërë duke pasur parasysh premtimin që na është thënë nga qeveria, që do të bëhen testimet e aeroportit këtë vit dhe para verës do të nisin fluturimet.
Nëse kjo nuk ndodh, do të jemi në telashe të mëdha me agjencitë. Ata kanë siguruar flotën dhe kodet e nevojshme ndaj mbetemi në pritje”, – shprehet z. Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar por edhe administrator i “Happy Tours”
Lidhur me një bilanc të përgjithshëm këtë vit, ai nënvizon se turizmi pati probleme në qershor dhe fillim të korrikut kudo, madje edhe në Golem, ku 50% e strukturave janë në skemën e turizmit të garantuar.
“Krejt ndryshe nga turizmi i kulturës që ishte mirë dhe pritet të jetë mirë, turizmi bregdetar pati probleme të theksuara në qershor dhe fillim korrik.
Kishte rënie dhe këtë e kanë konfirmuar vetë hotelet, që raportonin për 15-25% ulje të rezervimeve në raport me një vit më parë.
Nuk e di sesi dalin shifrat zyrtare në rritje dhe sesi llogariten tranzitet apo shtetasit e Kosovës, por hotelet raportojnë më pak zënie të kapaciteteve.
Gjithsesi në gusht thuajse gjithë bregdeti është kthyer në kapacitet të plotë nga Durrësi tek Vlora, Saranda dhe Ksamili. Besoj se shtatori do të jetë muaj i mirë.
Kontratat me garanci për 2025 rriten me 20%, kryeson Golemi, më shumë edhe Vlora
Turizmi i organizuar ka vulosur suksesin e verës 2025 ende pa u mbyllur kjo verë. Operatorët turistikë raportojnë se volumi i kontratave me garanci të nënshkruara mes agjencive të huaja dhe strukturave akomoduese ka ardhur me një rritje 20%.
Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar por edhe administrator i “Happy Tours”, tha se këtë vit negociatat zgjatën më shumë dhe u mbyllën shumë më vonë se çdo vit.
“Këtë vit i kemi mbyllur kontratat me garanci në mes të gushtit. Zakonisht i mbyllim në qershor apo fillim të korrikut, por këtë herë zgjatën më shumë.
Shkak për këtë u bënë kërkesat e strukturave akomoduese që kërkuan rritje me 25% të çmimeve, diçka që nuk u pranua nga agjencitë e huaja, pasi një rritje e ngjashme u aplikua edhe vitin e shkuar.
Në fund është rënë dakord një rritje 10-15% sipas strukturave, si një formë për të amortizuar efektet e zhvlerësimit të euros dhe rritjen e kostove të tjera”, – shprehet z. Kasa.
Pavarësisht rritjes së çmimeve duket se Shqipëria vijon të mbetet e preferuar nga agjencitë e huaja, të cilat kanë rritur kërkesat edhe për rezervime allotment (paguaj sa sjell) por kjo formë nuk ka shumë hapësira për t’u aplikuar, pasi kapacitetet janë ezauruar, kryesisht nga garancitë.
Rritja e vazhdueshme e kërkesës duket se në afat të shkurtër do të bëhet problem pasi hapësirat për akomodim janë të kufizuara.
“Ajo që shoh është që nëse vjen ai lloj turizmi, pra me kontrata rezervimi ‘allotment’, do kemi probleme pasi se kërkesa po bëhet më e lartë se oferta.
Në kontratat me garanci kanë interes një sërë tregjesh siç hanë polakët, çekët, spanjollët që kanë goxha rritje, portugezët, hungarezët, baltikët me chartera”, – pohon z. Kasa. /Monitor