Sarandë: Plagosje me thikë pas një konflikti, 38-vjeçari arrestohet nga Policia.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Sarandë, ku një 38-vjeçar ka plagosur me thikë një bashkëmoshatar gjatë një konflikti për motive të dobëta. Sipas Policisë së Sarandës, shtetasi D.R., banues në Sarandë, ka plagosur shtetasin M.D., pas një zënke të çastit në lagjen nr. 1, mbrëmjen e datës 24 shtator 2024, rreth orës 19:10.
Falë veprimeve të shpejta të policisë, autori u kap dhe u arrestua disa orë pas ngjarjes. I plagosuri është dërguar në spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale për këtë çështje janë referuar në Prokurorinë e Sarandës për veprime të mëtejshme.
Njoftim i Policisë Sarandë:
Plagosi me mjet prerës (thikë) një shtetas gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, menjëherë pas marrjes së njoftimit se shtetasi D. R., kishte plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin M. D., dhe ishte larguar menjëherë pas ngjarjes, organizuan punën për kapjen e autorit duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme. Si rezultat i kërkimeve, pas disa orësh, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
D. R., 38 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se më datë 24.09.2024, rreth orës 19:10, në lagjen nr. 1, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin M. D., 38 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.