Tragjedia në Athinë ku humbën jetën 3 shqiptarë, arrestohen 3 persona për vjedhjen e tubave të gazit

Pamjet e kamerave të sigurisë zbulojnë të dyshuarit pak para shpërthimit në Plaka. Mes të arrestuarve janë dy shtetas grekë dhe një shqiptar.
Policia greke ka arrestuar tre persona, dy shtetas grekë dhe një shqiptar, të dyshuar për vjedhje me pasojë vdekjen, në lidhje me shpërthimin e fuqishëm të një godine në lagjen Plaka të Athinës, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre tre shqiptarë.
Sipas burimeve policore, të cituara nga korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe, të dyshuarit janë filmuar nga kamerat e sigurisë pak para shpërthimit, teksa vidhnin tuba bakri nga impianti i gazit të banesës. Dyshohet se ndërhyrja në sistemin e gazit shkaktoi shpërthimin tragjik.
Nga shpërthimi humbën jetën gjashtë persona: shqiptarët Florin Hoxha, Flirida Hoxha dhe Iris Cani, si dhe shtetasit Ian Kirpractik, Athina Papapresku dhe britaniku Endmond Hings.
Burime policore bëjnë me dije se në total janë ndaluar pesë persona, me origjinë greke dhe shqiptare, të cilët i përkasin komunitetit rom. Megjithatë, nga hetimet e deritanishme, provat e mbledhura kanë çuar në arrestimin e tre prej tyre, të dyshuar për përfshirje në ngjarjen tragjike.
Tre të arrestuarit pritet të dërgohen në gjykatë paraditen e së premtes, ku do të përballen me akuzat përkatëse.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e shpërthimit që tronditi Athinën dhe u mori jetën gjashtë personave, mes tyre tre shqiptarë.




