Ishte larguar nga banesa, 92-vjeçari gjendet në ujërat e lumit Osum, shpëtohet nga mbytja
Një denoncim i bërë sot në policinë e Beratit, për humbjen e një të moshuari, ka ngritur në këmbë të gjithë efektivët e Policisë së Beratit.
Grupe të sektorit të qarkullimit rrugor dhe Patrullave të Përgjithshme, kanë kontrolluar të gjithë territorin ku mendohej se 92-vjeçari Qemal Grëmshi ishte parë për herë të fundit dhe e kanë gjetur atë në ujërat e lumit Osum, duke u mbytur
Menjëherë janë organizuar në grupe efektivët e policisë, të cilët të lidhur me litarë kanë hyrë në lumë dhe pasi kanë pikasur të moshuarin që ishte në mes të rrymës, kanë bërë të mundur nxjerrjen e tij nga lumi.
Operacioni i shpëtimit ka zgjatur rreth 30 minuta dhe pas nxjerrjen nga ujërat e Osumit, policia e ka transportuar të moshuarin drejt Spitalit Rajonal Berat, jashtë rrezikut për jetën
Siç edhe duket nga pamjet, i moshuari shfaqet në gjendje të mirë shëndetësore dhe po ekzaminohet në Repartin e Urgjencës në Spitalin Rajonal Berat. Sipas familjarëve,92-vjeçari Qemal Grëmshi vuan nga skleroza.
Njoftimi i Policisë Berat:
Rreth orës 19:00, në Policinë e Beratit është paraqitur shtetasi F. G., i cili ka kallëzuar se është larguar nga banesa babai i tij, shtetasi Q. G., 92 vjeç, banues në Berat, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Shërbimet e Policisë, pasi kanë marrë informacionin, janë organizuar dhe kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e 92-vjeçarit. Pas 30 minutash, e kanë gjetur të moshuarin në ujërat e lumit Osum.
Shërbimet e Policisë i kanë ardhur menjëherë në ndihmë shtetasit Q. G. dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e tij nga uji. Më pas, ai është transportuar në spital me autoambulancë, për ndihmë mjeksore.