“Pastroi 18.3 mln euro të mafias italiane”, Rezart Taçi në GJKKO, dëshmon drejtori i bankës së nivelit të dytë
Në gjyqin për biznesmenin Rezart Taçi në GJKKO, ka dhënë deklarime Moris Vidhi, drejtori i bankës së nivelit të dytë në të cilën është depozituar shuma prej 18.3 milion eurosh, e sekuestruar tashmë.
Vidhi ka sqaruar se si u arrit depozitimi i parave, njohjen me Taçin dhe personat e tjerë nën hetim, dhe mënyrën se ai u arrit të bllokoheshin paratë.
“Kam ndjekur procedurën standarde, janë paraqitur dy shtetas italia , njëri prej tyre është paraqitur si avokat dhe tjetri si biznesmen që donte të transferonte para për të investuar në Shqipëri. Ura lidhëse ka qenë Artur Balla.
Në dijeninë time donin të investonin në hidrokarbure. Kam vënë re shifrën e lartë, dhe kontaktova menjëherë eprorët të cilët më autorizuan për transfertën, duke qenë se kishte interes për bankën. Më thanë bëje transferimin por bllokoj, pa i vënë në dijeni depozituesit që do i bllokosh derisa të bëhen verifikimet.
Depozita e natyrës së ngrirë ku klientët nuk kanë të drejtë ti tërheqin. Avokati me qëllim të verifikonte që depozita ishte e lirë, kishte kërkuar disa herë tërheqjen e një shume simbolike, për të provuar se depozita është e hapur. Kam mbajtur në dijeni eprorët edhe për këtë fakt, të cilët më ka thënë t’iu komunikoja se depozita ishte aty por nuk mund të përdorej.
Bankës i ka ardhur një sinjalizim dhe është vënë në dijeni agjensia për pastrimin e parave. Taçin e kam takuar vetëm njëherë në 2014 me të shoqen dhe ka dashur të bëjë një depozitë. Ai nuk ra dakort me normat e interesit që kishim si bankë dhe vendosi të mos e bëjë depozitën”, mësohet të ketë thënë Moris Vidhi.
Rezart Taçi po gjykohet në Shqipëri për përfshirje në tentativën e pastrimit të 18.3 mln euro të mafias italiane. Avokatët kanl insistuar vazhdimisht për pushimin e çështjes duke u bazuar edhe në kërkesën e prokurorit që ka veçuar çështjen për italianët dhe i ka dërguar në Itali.
Përkatësisht çështja është veçuar për shtetasit Frencesco Zummo, Ignazio Zumo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli për të cilët po vijon procesi në Itali gjithashtu sipas avokatëve edhe biznesmeni shqiptar Rezart Taçi po gjykohet atje. Në këtë proces Taçi akuzohet për “pastrim parash” dhe “grup të strukturuar kriminal”.