AKTUALITET

Nga hapja e tregut evropian të punës, te njohja e pensioneve, Barbullushi: Qytetarët përfituesit e drejtpërdrejtë nga çelja e negociatave


Çelja e negociatave me Bashkimin Evropian përkthehet në përfitime direkte për qytetarët shqiptarë, duke nisur nga hapja e tregut evropian të punës dhe deri te njohja e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore.

Reklama në FieriWeb - “VEGA GROUP”

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Odeta Barbullushi, profesore e Kolegjit të Evropës në Tiranë, analizon në mënyrë shteruese rëndësinë e këtij procesi për qytetarët shqiptarë, të cilët sipas saj, “janë përfituesit e drejtpërdrejtë nga çelja e negociatave”.

Reklama në FieriWeb - “VODAFONE ALBANIA”

Barbullushi theksoi se vetëm nga Plani i Rritjes, Shqipëria përfiton rreth 922 milionë euro në grante dhe hua të buta, që synojnë zbutjen e diferencës së madhe ekonomike dhe zhvillimore mes Unionit dhe rajonit.

Reklama në FieriWeb - “ALNORA”

Ndërkohë, sipas saj, edhe në dritën e progresraportit të Komisionit Evropian, Shqipërisë i kërkohet që me hapjen e negociatave për grup-kapitullin e parë të përshpejtojë përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor dhe mirëqeverisjes.

Reklama në FieriWeb - “OAZI I PISHAVE”

Në këtë drejtim, Barbullushi vlerësoi punën e komisionit të posaçëm parlamentar Antikorrupsion, si një instrument për forcimin e rolit të parlamentit në monitorimin e reformave në këto fusha themelore dhe në krijimin e një fronti më të gjerë, përtej ekzekutivit, të angazhuar për përgatitjen e vendit për anëtarësim.

Barbullushi theksoi se ky proces kërkon patjetër përfshirjen dhe angazhimin e opozitës dhe të gjithë aktorëve, ndërsa vendi vlerësohet edhe për “kriterin politik”.

Reklama në FieriWeb - “MEGATEK”

Duke u ndalur te hapja e kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë, Barbullushi vlerësoi se ky është tregues i një paradigme të re të marrëdhënies mes Bashkimit Evropian dhe rajonit në tërësi, dhe Shqipërisë në veçanti.

Intervista e plotë për ATSH-në e Odeta Barbullushit:

Nga hapja e tregut evropian të punës, te njohja e pensioneve,

Cilat janë sfidat që dalin përpara për vendin dhe çfarë pritet nga autoritetet shqiptare me çeljen zyrtare të negociatave për grup-kapitullin “Themeloret”?

Me hapjen e grup-kapitullit të “Themeloreve”, Shqipëria fillon dhe teknikisht procesin e negociatave për anëtarësim. Vendi ka përgatitur tashmë tre udhërrëfyes: Për funksionimin e institucioneve demokratike, për administratën publike dhe për luftën kundër korrupsionit, respektivisht.

Dy nga këto ishin dhe piketat hapëse për grup-kapitullin 1, dhe monitorimi i zbatimit të angazhimeve që dalin prej tyre do të vazhdojë. Grup-kapitulli i parë përfshin kapitujt themelorë, kapitujt 23-24 që lidhen me reformën e gjyqësorit dhe forcimin e shtetit ligjor, po ashtu dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, garantimin e të drejtave dhe lirive themelore, sigurinë, mirëqeverisjen e administratës publike si dhe kontrollin financiar, prokurimet publike dhe statistikat kombëtare. Si i tillë ky grup-kapitull përfaqëson “zemrekun” e politikës së kushtëzimit dhe të procesit të negociatave për anëtarësim. Prandaj dhe është i fundit që mbyllet.

Ndërkohë, siç evidenton dhe Raporti vjetor i Komisionit Evropian, i botuar javën që shkoi, ndërsa ka progres në krahasim me vitin e kaluar për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor dhe mirëqeverisjen duhet të vazhdojnë dhe të përshpejtohen tashmë, me hapjen e grup-kapitullit të parë.

Vetëm në fushën e forcimit të shtetit ligjor janë gati 550 masa/detyra që duhen zbatuar nga rreth 42 institucione, ku shumicën e përbëjnë institucionet e sistemit të drejtësisë dhe gjyqësori, mbi 70 masa/detyra në fushën e antikorrupsionit e kështu me radhë.

Cilat janë përfitimet direkte për qytetarët shqiptarë nga çelja e negociatave?

Përfitimet janë të gjithanshme: që nga mundësia e mobilitetit e hapjes së tregut evropian të punës, deri tek unifikimi i standardeve e sigurisë ushqimore, njohja e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore, aksesi në mekanizmat evropianë të financimit të SME-ve, të studimeve, të bujqësisë dhe industrisë, etj. Dhe jo më pak e rëndësishme “qytetaria evropiane” jep mundësinë e aksesit në institucionet evropiane të së drejtës.

Si e ndihmon Plani i Rritjes Shqipërinë dhe rajonin drejt anëtarësimit në BE?

Në të vërtetë, Plani i Rritjes është një përgjigje e Komisionit Evropian ndaj thirrjeve të vazhdueshme nga ana e Ballkanit Perëndimor, kryesisht pas pandemisë së vitit 2020, për më shumë instrumente financiare nga ana e Unionit në funksion të zvogëlimit të hendekut të konvergjencës ekonomike mes BE-së dhe rajonit, hendek ky i zmadhuar, pavarësisht progresit të vendeve të rajonit në rrugën e anëtarësimit.

Me anë të paketës së Planit të Rritjes, ku Shqipëria përfiton rreth 922 milionë euro në grante dhe hua të buta, synohet pikërisht zbutja e kësaj diference të madhe ekonomike dhe zhvillimore mes Unionit dhe rajonit, si dhe përgatitja e vendeve të rajonit për anëtarësim në BE, duke u anëtarësuar gradualisht në politika dhe mekanizma të Unionit dhe të Tregut të Përbashkët, si në rastin e anëtarësimit në Marrëveshjen Evropiane të Pagesave Bankare, apo dhe në fusha të tjera.

Thënë këtë, duhet nënvizuar që aksesi në këtë financim shtesë të BE-së është i kushtëzuar me zbatimin e angazhimeve dhe reformave të dakordësuara mes vendeve dhe Komisionit Evropian; si aksesi në financimin e shtuar të BE-së (e shtuar në kuptimin përtej fondeve IPA) ashtu dhe planet kombëtare të reformave janë të pandashme si dy anë të të njëjtit plan, dhe pjesë të të njëjtit vizion për rajonin.

Aktualisht po zhvillon punën Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin. Në optikën e ekspertes të çështjeve të integrimit, çfarë pritet nga ky komision në funksion të përshpejtimit të procesit dhe konsolidimit të reformave?

Mesa unë e kuptoj mandatin e këtij komisioni, misioni i tij është të krijojë një front të gjerë parlamentar për monitorimin e reformave që lidhen me mirëqeverisjen dhe funksionimin e institucioneve, forcimin e shtetit ligjor si dhe me luftën kundër korrupsionit.

Këto janë fusha ku kërkohet vazhdimi dhe përshpejtim i reformave, nëse jemi seriozisht të angazhuar për përgatitje të mirëfilltë për anëtarësim të vendit brenda 2030. Këto reforma priten të kryhen nga Shqipëria, si palë në këtë proces.

Prandaj, megjithëse llogaridhënia i përket kryesisht krahut ekzekutiv, në këtë proces duhet të angazhohet dhe parlamenti, si dhe aktorë të tjerë, përfshi shoqërinë civile etj.

Në këtë dritë e kuptoj dhe punën e këtij komisioni, si një instrument për forcimin e rolit të parlamentit në monitorimin e reformave në këto fusha themelore dhe në krijimin e një fronti më të gjerë, përtej ekzekutivit, të angazhuar për përgatitjen e vendit për anëtarësim.

Çfarë simbolike ka në këtë kontekst ardhja e Kolegjit të Evropës në Shqipëri?

Hapja e kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë është tregues i një paradigme të re të marrëdhënies mes Bashkimit Evropian dhe rajonit në tërësi, dhe Shqipërisë në veçanti. Kjo domethënë që Komisioni Evropian, si financuesi i projektit të Kolegjit dhe mbështetësi kryesor politik i kësaj iniciative të palës shqiptare, e sheh Shqipërinë jo vetëm si partner të besueshëm, por dhe si anëtar në një të ardhme të afërt.

Kolegji i Evropës është mirëfilli projekt evropian, pasi i parapriu në të vërtetë projektit të Komunitetit Evropian, pararendësit të Bashkimit të sotëm Evropian. Kampusi i parë, ai i Bruzhit, u krijua në 1949 nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, pikërisht me vizionin e bashkimit të Evropës duke filluar nga të rinjtë dhe nga dija.

Kampusi i dytë u hap në Natolin të Polonisë në 1992, menjëherë pas rënies së Perdes së Hekurt, me synim përgatitjen e vendeve të Evropës Lindore për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Hapja e Kampusit të Tiranës simbolizon një nivel të ri besimi dhe ndërveprimi mes BE-së dhe Shqipërisë, dhe gjithë rajonit.

Programi i studimeve pasuniversitare të kampusit të Tiranës synon pikërisht përgatitjen e diplomatëve dhe eskpertëve të ardhshëm për cështje të integrimit evropian dhe politika të Unionit, por dhe për njohje të thelluar të rajonit të Evropës Juglindore. Prandaj dhe emërtimi i fushës së diplomës Master është pikërisht “Integrimi dhe Transformimi Evropian në Evropën Juglindore”.

Sa ndikon klima politike në vend në procesin e negociatave, duke pasur parasysh objektivin e vendosur nga qeveria Rama për të qenë gati për anëtarësim para vitit 2030?

Klima politike patjetër që është faktor i rëndësishëm, pasi është dhe përcaktues i atij që quhet “kriteri politik” dhe po ashtu ka lidhje të drejtpërdrejtë me funksionimin e institucioneve.

Paradoksialisht, siç e kemi parë dhe në vende të tjera, me afrimin e vendit në rrugën e anëtarësimit, antagonizmi mes mazhorancës dhe pakicës në opozitë mund të rritet, pasi integrimi shihet kryesisht (nga opozita) si një fitore e mazhorancës qeverisëse.

Por, siç e thashë dhe më lart, dhe siç nënvizohet dhe nga raporti i fundit i Komisionit për të gjithë vendet e rajonit në të vërtetë, në shkallë të ndryshme, ky proces kërkon patjetër përfshirjen dhe angazhimin e opozitës dhe të gjithë aktorëve, pasi në fund të fundit flitet për një arritje madhore të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button