Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Laert Haxhinë
Në Apelin e GJKKO-së u mbajt këtë të martë seanca për Laert Haxhiun i cili kundërshtoi vendimin e shkallës së parë për dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Të pranishëm në sallë ishin vetëm prokurori Altin Dumani dhe avokati mbrojtës Detar Hysi, ndërsa i pandehuri Laert Haxhiu nuk mori pjesë.
Pasi u dëgjuan pretendimet e palëve Apeli i GJKKO-së vendosi të lërë në fuqi burgimin përjetë për Laert Haxhiun
DEBATET NE GJYQ
Avokati Detar Hysi tha se klienti i tij është i pafajshëm, duke kërkuar prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim me një trup gjykues tjetër.
Prokurori Altin Dumani e cilësoi vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm nga shkalla e parë si të drejtë dhe kërkoi që të mbahet në fuqi.
Detar Hysi: I kërkoj gjykatës të vlerësojë me objektivitet ankimin tonë, duke bërë të mundur zbardhjen e të vërtetës. I kërkojmë gjykatës ndryshimin e vendimit të GJKKO-së për shpalljen fajtor të Laert Haxhiut. Kërkojmë deklarimin e pafajësisë për Laert Haxhiun. Kërkojmë prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes në të njëjtën gjykatë me një trup gjykues tjetër.
Altin Dumani: Vendimi i shkallës së parë është i drejtë dhe duhet të mbetet në fuqi. Janë trajtuar si provat e prokurorisë, ashtu edhe provat e paraqitura nga mbrojtja. Sa i takon zbatimit të ligjit, ne gjykojmë se është vendim i drejtë. Përsa i përket pretendimit të të pandehurit dhe mbrojtjes së tij për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, ne vlerësojmë se kjo gjykatë me të drejtë e rrëzoi kërkesën. Prokuroria i është referuar pamjeve filmike në pikën e karburantit Gulf, jo pamjeve të sjella nga babai i Zamir Latifit. Nuk ka vend për të vënë në dyshim vërtetësinë e provave. Edhe për pamjet filmike janë pyetur dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja dhe nga akuza. Vrasja e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës nuk kishte asnjë motiv, por ndodhi sepse shënjestër ishte Xhuljo Shkurti, për shkak të konfliktit që Laert Haxhiu kishte me të. I pandehuri, në mënyrë të përsëritur, në shkallë të parë dhe këtu në Apel, ka thënë se nuk jemi përpara një grupi kriminal. Ne sqarojmë se u provua ekzistenca e grupit të strukturuar kriminal. Mes Laert Haxhiut dhe Xhuljo Shkurtit ka pasur një konflikt që ka zgjatur ndër vite.
Kujtojmë se Laert Haxhiu u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me burgim të përjetshëm, pasi akuzohet për atë që njihet si “masakra e Lushnjës”, e cila përfundoi me vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe plagosjen e Marjus Xhepexhiut dhe Bujar Turkut.