Skandali me flamurin shqiptar/ Reagon zv/ministri i Brendshëm maqedonas: Do të ketë masë disiplinore kundër punonjësit
Festimet e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut janë shoqëruar me trazira. Në rrjete sociale po qarkullojnë video të një situate të turpshme ku policia ka ndërhyrë për të hequr flamujt shqiptarë.
Në lidhje me këtë incident, ka reaguar zv.ministri i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Astrit Iseni. Ai është shprehur se do të merren masa disiplinore kundrejt punonjësit të policisë që hodhi flamurin shqiptar.
Teksa dënoi çdo shkelje ose mosrespektim të simboleve shtetërore dhe kombëtare, Iseni shtoi se ligjet do të zbatohen për të gjithë dhe kjo nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
Ky është reagimi i parë që vjen nga autoritetet maqedonase.
“Do të ketë një procedurë disiplinore kundër punonjësit të MPB-së që hodhi flamurin Shqiptar. Çdo punonjës i MPB-së ka detyrimin të respektojë ligjet dhe simbolet e të gjitha bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve do të sanksionohet pa përjashtim.
Ligjet do të zbatohen njësoj për të gjithë, ndërsa institucionet do të jenë garancë për respektimin e tolerancës dhe të drejtave ndërmjet të gjitha komuniteteve.
Sipas nenit 319 të Kodit Penal, kushdo që me dashje nxit përçarje, intolerancë ose urrejtje përmes fyerjes ose shkatërrimit të simboleve kombëtare ose fetare, do të mbajë përgjegjësi penale. Nuk do të lejoj që një sjellje e tillë, sidomos kur vjen nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të mbetet e pandëshkuar.
Si zv/ministri i Punëve të Brendshme, unë qartë e dënoj çdo shkelje ose mosrespektim të simboleve shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pavarësisht nëse bëhet fjalë për flamurin e maqedonasve, shqiptarëve, apo të cilitdo bashkësi etnike tjetër.
Dje të gjithë së bashku e dënuam aktin e fyerjes së flamurit shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke konfirmuar angazhimin tonë për bashkëjetesë dhe respekt reciprok. Sot, gjithashtu e dënoj dhe konfirmoj se do të ketë përgjegjësi për punonjësin e Ministrisë së Punëve të Brendshme që ka vepruar në mënyrë fyese dhe të papranueshme ndaj flamurit, i cili është simbol kombëtar i shqiptarëve, një flamur që është rregulluar me ligj për përdorim sipas normave ligjore të shtetit tonë”, thuhet në reagimin e zv/ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.