Policia e Shtetit paralajmëron për rrezikun e mashtrimeve në WhatsApp
TIRANË – Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një sërë rastesh mashtrimi të zbuluara në platformën e komunikimit WhatsApp, ku qytetarët mashtrohen përmes mesazheve të dërguara nga numra të huaj apo edhe kontakte të njohura, të cilëve u është kompromentuar llogaria.
Sipas njoftimit zyrtar, këto mesazhe të maskuara pretendojnë regjistrimin në ngjarje fiktive ose përfitimin e benefiteve të ndryshme, duke drejtuar përdoruesit drejt lidhjeve të rrezikshme. Qëllimi kryesor i këtyre mesazheve është marrja e kontrollit të llogarive të WhatsApp-it.
Policia këshillon qytetarët:
• Të fshijnë mesazhet e dyshimta pa kryer asnjë veprim.
• Të mos klikojnë mbi lidhjet që përmbajnë mesazhet dhe të mos plotësojnë të dhëna personale.
• Të aktivizojnë funksionin e verifikimit me dy hapa në WhatsApp për siguri të shtuar.
Qytetarët që kanë rënë viktimë e këtyre mashtrimeve ftohen të paraqiten pranë strukturave të Krimit Kibernetik në Drejtoritë Vendore të Policisë për të denoncuar rastet, duke ndihmuar kështu në identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se po vijon punën për të luftuar këto veprimtari të paligjshme dhe për të garantuar sigurinë kibernetike të tyre.