Tërmetet në ishujt grekë, Mitsotakis takon sizmologët, zbulohen detajet
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një takim të jashtëzakonshëm me sizmiologë, ekspertë, përfaqësues të kabinetit qeveritar ku u diskutua për aktivitetin e fundit sizmik në zonën detare midis Santorinit dhe Amorgos, ku qindra tërmete janë regjistruar prej disa ditësh.
Gjatë mbledhjes, sizmologët analizuan situatën dhe vërejtën se aktiviteti aktual sizmik i ngjan atij të viteve 2011–2012, por me intensitet më të madh dhe me një mesatare më të lartë të dridhjeve.
Frika më e madhe lidhet me mundësinë e një tërmeti mbi 6 shkallë të Rihterit. Vlerësimi i masave do të bëhet çdo ditë.
Kryetari i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen Kundër Tërmeteve profesori Efthymios Lekkas, thirri një mbledhje urgjente të Komitetit të Përhershëm Shkencor për Vlerësimin e Rrezikut Sizmik dhe Komitetit të Përhershëm Shkencor për Monitorimin e Harkut Vullkanik Grek.
Qëllimi ishte vlerësimi i aktivitetit sizmik dhe marrja e masave të mundshme parandaluese.
Komiteti rekomandoi mbylljen e shkollave në Santorini dhe shmangien e grumbullimeve masive në ambiente të mbyllura.
Gjithashtu, qytetarëve u rekomandohet të shmangin qëndrimin pranë porteve të Ammoudit dhe Portit të Vjetër të Firas, për të siguruar sigurinë e tyre në rast të një tërmeti më të fortë.
Shkencëtarët vazhdojnë të monitorojnë zhvillimin e aktivitetit sizmik për të vlerësuar veprimet e mëtejshme që mund të jenë të nevojshme.