“Engjëjt” – Monodrama që Bashkon Artistë Shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Greqia

Vefi Redhi nga Greqia, Naser Shatrolli nga Kosova dhe Odise Plaku nga Shqipëria bëhen bashkë në skenën e kryeqytetit
Aktorja Vefi Redhi në monodramën “Engjëjt” të Odise Plakudo të jetë zëri i nënave të Kosovës që kërkojnë drejtësi

Ata në provat intensive në mjediset e teatrit “Metropol” nëkryeqytet për të sjellë në skenë në ditët e para të marsit monodramën “Engjëjt” të autorit Odise Plaku. Kjo vepër ka bërë bashkë tre artistë shqiptarë: Vefi Redhi nga Greqia, Naser Shatrolli nga Kosova dhe Odise Plaku nga Shqipëria.

Jetët e humbura të njerëzve të pafajshëm të Kosovës, si pasojë e ushtrimit të genocidit serb, vazhdojnë të jenë një plagë që djegin dhe dhembin ende në ditët e sotme. Në mënyrë të vazhdueshme kërkohet të zbardhet e vërteta se ku prehen eshtrat e tyre, cili është fati i jetës së tyre. Mes tyre është dhe një nënë që kërkon fëmijët e saj, tashmë e sjellë në monodramën “Engjëjt” të dramaturgut Odise Plaku, i cili me këtë vepër shënon një tjetër premierë në skenën shqiptare. E veçanta e saj është pasi kjo vepër bashkon tre artistë, dramaturgun Odise Plaku nga Shqipëria, aktoren Vefi Redhi, që për këtë shfaqje vjen nga Greqia dhe regjisorin NaserShatrolli nga Kosova. Dramaturgu Odise Plaku thotë se është një vepër e fuqishme, që do të flasë shumë në interpretimin e fortë të aktores Vefi Redhi që vjen në skenë si Hana. Ai shprehet tepër i kënaqur edhe për bashkëpunimin me regjisorin Naser Shatrolli.

“Një vit më parë arrita që të sjellë në Tiranë veprën time “Amber Alert” një produksion i kompanisë teatrore greke “Dionis Enigma”, vepër që për muaj me radhë shënoi sukses në Greqi në skenat teatrore, por edhe në festivale. Me këtëbashkëpunim u ndërtua edhe një urë e re bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërkohë që mendja ime punonte për “Tirana kryeqytet mesdhetar i kulturës dhe dialogut”. Dëshiroja që në këtë vit për kryeqytetin të sillja një bashkëpunim shqiptar, por i shtrirë në shumë shtete. Fati e solli që të bëhesha bashkë me aktoren Vefi Redhi së cilës ia njihja dëshirën e zjarrtë për t’u kthyer në Shqipëri me një vepër të veçantë, por edhe regjisorin Naser Shatrolli e kisha në mendjen time si një regjisor modern dhe me stil të veçantë, larg klasicizmit.”

Ai shprehet i kënaqur që distancat nuk e kanë zbehur dëshirën për të punuar së bashku, madje ai përmend faktin që për ditë me radhë regjisori Shatrolli në Prishtinë ka pritur me dashuri dhe ka punuar së bashku me aktoren Vefi Redhi. Ai e cilëson këtë bashkëpunim si rastin unikal ku pasioni triumfon mbi cdo vështirësi me dëshirën madhe për të realizuar një vepër skenike me vlera të spikatura kombëtare dhe me një çështje kaq të ndjeshme edhe sot e kësaj dite jo vetëm në Kosovë por edhe në mbarë botën.

Do të jetë pikërisht Tirana nga do të nisë rrugëtimin skenik dhe artistik kjo vepër për të udhëtuar më pas si brenda vendit dhe jashtë tij. Shfaqja do të jetë në datat 7, 8 dhe 9 mars në sallën “Çehov” të teatrit Metropol në Tiranë. Asistent regjisor Shend Tejeci, skenografia dhe kostumografia Arife Veselajdhe muzika Hajrush Fazliu.

Pak mbi monodramën “Engjëjt”
Në qendër të kësaj vepre, është Hana, një nënë kosovare e cila bën vite që kërkon t’u dëgjojë zërin fëmijëve të saj, Verës dhe Diellit, që ia rrëmbyen barbarisht ushtarët serbë gjatë bastisjes së shtëpisë së tyre. Pa fëmijët jeta e saj ka humbur kuptimin, përpos i duhet të përballet në mënyrë të njëjtë me mediet, institucionet, gjykatat, policinë e deri te kalimtarët e rastit, për t[i dukur vetja si një robot. Në këtë qerthull artistik lëvrin jeta e personazhit të kësaj vepre dramatike që do të sjellë emocione të fuqishme te audienca, por do të jetë edhe një apel më shumë në lidhje me gjetjen e fatit të jetëve të zhdukura në Kosovës.

Emocionet e Vefi Redhit
Por ajo që mban më shumë emocione në këtë rrugëtim artistik është aktorja Vefi Redhi e cila rikthehet në skenën shqiptare pas më shumë se 20 vjetëve mungesë. Në këto vite ajo nuk e ka ndërprerë veprimtarinë e saj artistike pasi është një ndër emrat e aktorëve shqiptarë në skenën greke e vlerësuar për rolet e saj të luajtur ndër vite. Ajo është vlerësuar nga spektatori dhe kritika greke për prurjet e saj skenike. Me një gjuhë shqipe të përkryer dhe me diksion mahnitës aktorja VefiRedhi do të sjellë në skenën e kryeqytetit një figurë emblematike që do të dashurohet nga të gjithë.

Pas Tiranës monodrama “Engjëjt” do të shfaqet në Vlorë në datat 11 dhe 12 mars. Padyshim që ajo do të rrugëtojë në Kosovë dhe në vende të tjera.
