Berat – Finalizohet operacioni “Multiple”: Arrestohet një 19-vjeçare për shfrytëzim prost*tucioni dhe një tjetër për baste ilegale

Berat – Finalizohet operacioni policor “Multiple”, arrestohen dy persona, procedohen tre të tjerë
Berat – Pas një hetimi dy-mujor, Policia e Beratit në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së ka finalizuar operacionin e koduar “Multiple”, duke vënë në pranga dy persona dhe duke proceduar penalisht tre të tjerë.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua shtetasja S. K., 19 vjeçe, e cila dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion dy shtetase të tjera, mes tyre edhe një të mitur 15 vjeçare. Ndërkohë, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasja A. A., 19 vjeçe, dhe motra e saj 15-vjeçare.
Po gjatë operacionit, u arrestua shtetasi K. B., i cili dyshohet se organizonte baste të paligjshme me celularë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi 7 celularë, një shufër hekuri, një elektroshok, një shkop bejsbolli dhe 2 maska.
Gjithashtu, për të njëjtën veprimtari ilegale, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit V. B. (vëllai i K. B.) dhe B. E., 19 vjeç.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.