Bullizmi online në Fier, 12 raste brenda 3 muajve. Fenomen shqetësues me pasoja afatgjata

Bullizmi në rrjetet sociale është kthyer në një fenomen alarmant në qarkun e Fierit, duke prekur të gjitha grupmoshat. Sipas të dhënave nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, që nga janari 2025 e deri më sot, janë regjistruar 12 denoncime për shantazhe dhe abuzime online.
Rastet më të shpeshta lidhen me publikimin e fotove me mbishkrime fyese, shpërndarjen e materialeve intime dhe krijimin e profileve false për të sulmuar persona të caktuar. Grupmosha më e prekur nga ky fenomen është ajo 13-16 vjeç, por nuk mungojnë as rastet e të rriturve nga 40 deri në 50 vjeç.
Psikologia Krisalda Sauli e lidh këtë situatë me mungesën e empatisë, xhelozinë, nevojën për hakmarrje dhe mungesën e kontrollit prindëror. Ajo thekson se pasojat për viktimat janë afatgjata, duke përfshirë ndjenjën e turpërimit, frikës dhe izolimit.
Ndërkohë, kryetari i Dhomës së Avokatisë Fier, Ermal Hamataj, shprehet se denoncimet në polici nuk janë gjithmonë efektive për ndalimin e abuzimeve, pasi këto vepra klasifikohen si të lehta dhe nuk çojnë në arrestimin e autorëve.
Platformat më problematike për bullizmin mbeten Instagrami dhe TikTok, megjithëse ky i fundit është tashmë i ndaluar në Shqipëri, një vendim që pritet të ndikojë pozitivisht në uljen e rasteve të abuzimeve dixhitale.
Ekspertët theksojnë se ndërgjegjësimi dhe edukimi për sigurinë online janë mënyrat më të mira për të parandaluar këtë fenomen shqetësues.
Marsela Topi / FieriWeb