Operacioni “MISLEADING MESSAGES” – Arrestohet 23-vjeçari nga Franca për mashtrim kompjuterik në Shqipëri

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “MISLEADING MESSAGES”, në kuadër të luftës kundër krimeve kibernetike. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë në një bankomat në Tiranë, shtetasi A. S., 23 vjeç, lindur dhe banues në Francë.
Ky shtetas kishte dërguar mesazhe të rreme qytetarëve shqiptarë, duke iu përcjellë një link mashtrues që imitonte një bankë të nivelit të dytë, me qëllim vjedhjen e të dhënave bankare dhe tërheqjen e parave nga llogaritë e tyre. Pasi kishte mashtruar qindra qytetarë nëpërmjet kësaj skeme, 23-vjeçari kishte ardhur në Tiranë për tërheqjen e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Gjatë arrestimit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale tre celularë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.
Policia e Shtetit apelon për vigjilencë ndaj çdo aplikacioni apo linku të dyshimtë që iu shfaqet në rrjetet sociale dhe inkurajon qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshuar të mashtrimit.