PS kërkon shtyrjen e orarit të mbylljes së disa qendrave votimi në Vlorë për shkak të aktivitetit “Giro D’Italia”

Partia Socialiste, përmes një kërkese zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka kërkuar shtyrjen e orarit të mbylljes së disa qendrave votimi në qarkun e Vlorës më 11 maj 2025. Kërkesa është bërë nga drejtuesi politik i PS-së për qarkun Vlorë, Bledar Çuçi, dhe vjen si pasojë e zhvillimit të aktivitetit sportiv ndërkombëtar “Giro D’Italia”, i cili do të organizohet atë ditë në qytetin e Vlorës.
Sipas informacionit të marrë nga Bashkia e Vlorës, aktiviteti do të përfshijë bllokimin e 14 akseve kryesore rrugore dhe zonave përreth, duke ndikuar drejtpërdrejt në aksesin e qytetarëve në 55 qendra votimi. Për këtë arsye, PS kërkon që orari i votimit të shtyhet deri në orën 22:00 për të garantuar që çdo qytetar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar.
Bashkia e Vlorës ka vënë në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore dhe qendrave të votimit që do të preken nga ky bllokim, e cila i është bashkëngjitur kërkesës drejtuar KQZ-së.
