POLITIKËSTAR CHANNEL

Fituesi i madh dhe humbësit e padukshëm të 2025-ës: Demokracia në krizë përfaqësimi!

Zgjedhjet e majit 2025 vulosën një shumicë absolute për Partinë Socialiste, por ekspozuan njëherazi mangësitë e thella të sistemit zgjedhor shqiptar. Vota nuk u përkthye gjithmonë në përfaqësim, dhe demokracia mbeti peng e një kodi që i shërben më shumë partive të mëdha sesa qytetarëve.

Reklama në FieriWeb

Zgjedhjet parlamentare të majit 2025 shënuan një rezultat të qartë politik, por njëherazi hodhën dritë të ashpër mbi dështimet e sistemit tonë zgjedhor për të përfaqësuar drejt vullnetin qytetar. Me 83 mandate të siguruara, Partia Socialiste u rikonfirmua si shumicë absolute në Kuvend, duke lënë në opozitë një bllok të fragmentarizuar e të paqëndrueshëm, të përçarë më shumë nga interesat personale sesa nga ide apo alternativa serioze. Megjithatë, përtej kësaj fitoreje numerike, rezultati dëshmon se përfaqësimi real në Kuvend mbetet i deformuar, i cunguar dhe larg standardeve që një demokraci funksionale duhet të garantojë.

Reklama në FieriWeb - "COVIM CAFFE"

Kodi zgjedhor në fuqi, me sistemin proporcional rajonal, me lista të mbyllura në thelb dhe me një formulë ndarjeje që favorizon në mënyrë të njëanshme forcat e mëdha politike, ka prodhuar sërish një parlament që nuk pasqyron mozaikun real të votës qytetare. Shembulli më domethënës i këtij deformimi është kandidatura e Ilir Alimehmetit, i cili arriti të sigurojë mbi 16 mijë vota preferenciale në qarkun e Tiranës, por mbeti jashtë Kuvendit, ndërkohë që kandidatë me më pak mbështetje, të renditur më lart në listë nga partia, siguruan mandate. Ky fenomen vërteton se listat e ashtuquajtura të hapura janë, në praktikë, të mbyllura, dhe qytetari, ndonëse i jepet e drejta e zgjedhjes, në fakt nuk ka ndikim real në përbërjen përfundimtare të përfaqësimit.

Reklama në FieriWeb - “PASTIÇERI “RUSTEMAJ”

Edhe formula e përdorur për shpërndarjen e mandateve, e njohur si d’Hondt, vazhdon të jetë një tjetër mekanizëm që favorizon disproporcionalisht partitë e mëdha, duke e bërë thuajse të pamundur për forcat politike të reja ose të vogla të konvertojnë votat në mandate, edhe kur ato përfaqësojnë një numër të konsiderueshëm zgjedhësish në nivel kombëtar. Kjo situatë ushqen një sistem të mbyllur politik, pengon qarkullimin e elitave dhe demotivon pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në jetën publike.

Reklama në FieriWeb - “STREET FOOD S.O.A”

Megjithatë, një risi pozitive e këtyre zgjedhjeve ishte pjesëmarrja e diasporës shqiptare, e cila për herë të parë arriti të votojë nga jashtë vendit. Ky ishte një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së një komuniteti jetik për vendin, i cili prej vitesh ka kërkuar me ngulm të drejtën për të ndikuar në vendimmarrje. Pavarësisht se ky proces u shoqërua me probleme teknike dhe logjistike, ai tregoi se vota e emigrantëve është jo vetëm e mundur, por edhe e domosdoshme për një sistem më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë. Pikërisht për këtë arsye, ky drejtim duhet përmirësuar dhe forcuar në të ardhmen, jo lënë në harresë.

Reklama në FieriWeb - "Oazi i Pishave"

Në këtë kontekst, nevoja për një reformim të thellë dhe të sinqertë të Kodit Zgjedhor bëhet më shumë se një kërkesë politike – është një domosdoshmëri demokratike. Duhet kaluar drejt një sistemi që i jep qytetarit të drejtën reale për të zgjedhur përfaqësuesin e tij dhe jo vetëm partinë. Duhet një formulë më e drejtë për shpërndarjen e mandateve, që vlerëson votën e çdo individi njësoj, pa dallim nëse ai voton për një forcë të madhe apo për një alternativë të re.


Duhet një sistem që nuk i sheh partitë si pronare të votës, por qytetarët si themel të çdo përfaqësimi. Vetëm kështu mund të shpresojmë për një klasë politike më të përgjegjshme, një opozitë më të fortë dhe një Kuvend që flet me të vërtetë në emër të të gjithëve.

Nga Vladimir Muçaj – newsalbania.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button