Vjedhje gjatë natës në Fier – policia në kërkim të autorëve

Fier, 20 maj 2025 – Dy raste vjedhjeje janë regjistruar gjatë orëve të natës në qytetin e Fierit, në lagjet “Liri Gero” dhe “Kongresi i Përmetit”.
Persona ende të paidentifikuar kanë hyrë me forcë në dy biznese private – një berberhanë dhe një subjekt që operon me qira makinash – nga ku kanë marrë dy telefona celularë dhe një shumë ende të papërcaktuar parash.
Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Grupi hetimor po punon mbi këqyrjen e kamerave të sigurisë dhe mbledhjen e provave të tjera materiale.
Materialet për të dy rastet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e veprimeve procedurale.
Policia u bën thirrje qytetarëve që nëse kanë informacion të vlefshëm mbi autorët, të kontaktojnë menjëherë në numrin pa pagesë 112 ose të paraqiten në komisariatin më të afërt.




