Milot – Thumanë- Projekti lejon shpejtësi 140 km/orë, rrugë alternative 13.8 km me kalim pa pagesë

Shoqëria “G2 Blu”, mbajtëse e koncesionit për ndërtimin e aksit rrugor Milot – Thumanë po avancon me marrjen e lejeve të nevojshme për nisjen e punimeve, teksa së fundi ka aplikuar pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për t’u pajisur me lejen mjedisore përkatëse. Sipas të dhënave nga AKM, shoqërisë i është kërkuar të hartojë Raportin e thelluar të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe ta paraqesë së bashku me dëgjesën me publikun, që është një parakusht sipas legjislacionit në fuqi.
Ndërkaq, në dokumentet e paraqitur nga koncesionari jepen edhe detajet e projektit, që është pjesë e autostradës Adriatiko -Joniane.
Segmenti rrugor fillon në Milot dhe lidhet me seksionin tjetër Thumanë – Kashar. Si gjurmë e projektit do të shërbejë rruga ekzistuese e ndërtuar në vitet 2008 – 2010, por në zonat ku do të kryhen ndërhyrjet siç janë shkëmbimet dhe rrugët dytësore lidhëse, korridori i projektit do të zgjerohet dhe shtohet. Qëllimi kryesor është rehabilitimi i rrugës ekzistuese dhe konvertimi në një autostradë të Kategorisë A1. Gjatësia totale e rrugës ku do ndërhyhet është rreth 12.5 km, ndërsa shpejtësia e projektuar është 90 – 140 km/orë, por me tabela kufizimi shpejtësie për 130 km/orë, si shpejtësi e lejuar maksimale.
Pjesë e projektit është edhe ndërtimi i një rruge alternative, që do të shërbeje si rrugë opsionale pa pagesë për komunitetin. Gjatësia e rrugës alternative do të jetë 13.8 km, ndërsa do të jetë e kategorisë C3. Kjo rrugë do të fillojë në nyjen e Laçit dhe do përfundojë në nyjen lidhëse midis Thumanës dhe rrugës Fushë Krujë – Thumanë.
Po ashtu, projekti parashikon edhe ndërtimin e 7.32 km rrugë dytësore për të mundësuar komunikimin e komunitetit në pjesë të ndryshme të zonës së projektit dhe midis zonave.
Projekti do të zbatohet nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive, “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers” dhe “I.D.K – Konstruksion”.