Darëzezë, Fier – Çelet zyrtarisht sezoni turistik 2025 me “Festën e Valëve”

Është çelur sot zyrtarisht sezoni turistik veror 2025 në bregdetin e Darëzezës, përmes aktivitetit festiv “Festa e Valëve”, që mblodhi dhjetëra pjesëmarrës mes këngëve, valleve dhe kërcimeve.
Në fjalën e tij për mediat, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, e cilësoi Darëzezën si një perlë të pashfrytëzuar të Adriatikut, duke theksuar pritshmërinë për dyfishim të numrit të turistëve këtë verë. Ai njoftoi gjithashtu se po punohet për hartimin e një masterplani për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në zonë, që përfshin ndërtimin e hoteleve dhe bizneseve moderne.
Subashi theksoi se 40% e sipërfaqes së rërës do të mbetet hapësirë publike, ndërsa pjesa tjetër do t’u jepet operatorëve privatë. Paralelisht, vijojnë investimet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe realizimin e projektit madhor të ujësjellësit, që synon të sigurojë furnizim të pandërprerë me ujë – një shërbim që ka munguar ndër vite.
Këtë sezon, përgjatë vijës bregdetare Darëzezë – Seman do të operojnë 61 subjekte turistike sezonale, duke ofruar shërbime dhe mikpritje për pushuesit vendas dhe të huaj.