Krim i rëndë në Fier/ Vrau të atin me tel dhe tentoi ta paraqiste si aksident: arrestohet 26-vjeçarja, nëna e saj nën hetim për bashkëpunim

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka zbardhur me shpejtësi dhe profesionalizëm një ngjarje të rëndë kriminale në familje, të ndodhur në fshatin Frashër.
Shtetasja Ermanilda Rama 26 vjeçe, është arrestuar pasi dyshohet se ka vrarë babain e saj, Anesti Rama, 56 vjeç, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), për motive të dobëta. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 23 korrikut 2025, rreth orës 23:00, në banesën e tyre.
Fillimisht, 26-vjeçarja e kallëzoi ngjarjen në polici si një vdekje aksidentale. Por hetimet e para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, ngritën dyshime serioze për rrethanat e ngjarjes.
Gjatë hetimeve të mëtejshme dhe analizës së provave, u zbulua se vdekja nuk kishte qenë aksidentale, por pasojë e një veprimi të qëllimshëm nga vajza e viktimës. Pas kryerjes së krimit, dyshohet se 26-vjeçarja ka bashkëpunuar me nënën e saj, V. R., 53 vjeçe, për të pastruar trupin e pajetë të 56-vjeçarit, me qëllim që ngjarja të dukej si aksident.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar “Inskenimi”, dhe u bë arrestimi i autores së dyshuar.
Nëna e saj, V. R., aktualisht ndodhet e shoqëruar në ambientet e Policisë Fier, ndërsa po vijojnë hetimet për përcaktimin e përgjegjësisë së saj penale dhe rolin e saktë në ngjarje.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të krimit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




